Dogana ndalon 128 palë këpucë të dyshuara për cenim të të drejtave të pronësisë intelektuale në Han të Elezit

Kronikë

Dogana ndalon 128 palë këpucë të dyshuara për cenim të të drejtave të pronësisë intelektuale në Han të Elezit

Më: 8 korrik 2026 Në ora: 09:29
Foto nga vendi i ngjarjes

Dogana e Kosovës ka ndaluar 128 palë këpucë të markave të mbrojtura, të dyshuara për cenim të të drejtave të pronësisë intelektuale, gjatë një kontrolli të realizuar në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 22:00, kur zyrtarët doganorë ndaluan për kontroll një automjet me targa vendore, në kuadër të kontrolleve të bazuara në analizën e riskut dhe kompetencave ligjore.

Fillimisht, drejtuesi i automjetit deklaroi se nuk posedonte mallra për deklarim. Megjithatë, bazuar në dyshime të arsyeshme dhe autorizimet e parashikuara me Kodin Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, zyrtarët doganorë kryen kontroll fizik të automjetit.

Gjatë kontrollit të bagazhit u zbuluan 128 palë këpucë të markave të mbrojtura, ndërsa personi nuk kishte dokumentacion që dëshmonte origjinën e mallrave, importin e rregullt apo të drejtën për përdorimin dhe qarkullimin e tyre.

Në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, Dogana e Kosovës ka kompetencë të ndalojë mallrat për të cilat ekziston dyshimi se cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale, si dhe të ndërmarrë masat e nevojshme administrative dhe kundërvajtëse ndaj personave që tentojnë t’i fusin ose t’i qarkullojnë ato në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Autoritetet kanë bërë të ditur se ndaj rastit është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, ndërsa malli është ndaluar për procedura të mëtejshme në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës, parandalimin e tregtisë së paligjshme dhe qarkullimit të mallrave që cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale, duke kontribuar në mbrojtjen e konsumatorëve, garantimin e konkurrencës së ndershme në treg dhe mbrojtjen e interesave fiskale të Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit të publikuar nga Dogana në rrjetin social Facebook.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat