A shkruajmë bukur apo “promovojmë” bukur!?

Kultura

A shkruajmë bukur apo “promovojmë” bukur!?

Më: 25 dhjetor 2021 Në ora: 11:45
Ilustrim

Gjërat e imta, ndonjëherë edhe të padukshme, i japim përmbajtje një tërësie apo realizimit të një qëllimi. Ndaj dhe për to duhet të kemi kujdes të veçantë, sepse sado që të jenë të padukshme, në fund ose anojnë nga shëmtia ose e shpëtojnë situatën.

Këto gjëra nuk i lënë margjinave të “pastërtisë” as promovimet e bollshme të botimeve të ndryshme, të cilat, më shumë u ngjanë ceremonive të dasmave e herë - herë edhe cirqeve. Nuk e teprojmë nëse themi se promovohen edhe libra koti, të përcjellja me kokteje e dreka me meny të pasur, por edhe me një snobizëm të paparë.

Dhe vijmë te përfundimi: nëse nuk dimë të shkruajmë bukur, ne së paku dimë të “promovojmë” bukur!

Asnjëherë nuk do të arrijmë ta kuptojmë një fakt: si ndihen ata që marrin pjesë në këto promovime! Praktika ka treguar se në promovimet e tilla disa shkojnë për të bërë sehir, disa mezi presin të përfundojë akti i promovimit të librit e të fillojë kokteji apo dreka ose darka, kurse të paktë janë ata që shkojnë për ta nderuar autorin, përkatësisht librin. Mbase shumica prej tyre as që do ta lexojnë atë libër, për të cilën kanë shkuar të mrizojnë në ambientet ku bëhet promovimi.

A di të tregojë dikush se, kështu siç promovohen librat ndër ne, cili është qëllimi përfundimtar?

Lajmi se është botuar një libër, mund të jepet edhe pa koktej e drekë, çka do të thotë se nuk ka nevojë të harxhohet kot për diçka që vërtet është e kotë, sepse promovimi, në fakt, ka një kuptim krejtësisht tjetër dhe, nëse nuk nxit debat për brendinë e librit, atëherë më së paku është promovim.

Një gjë duhet të jetë e qartë: botimi i librit nuk është modë ose si diçka që të mundëson të jesh në hap me kohën dhe me rrjedhat bashkëkohore. Përafërsisht janë të njëjta edhe orët letrare ku secili lexon çka të mundet dhe secilit i duartrokitet, pavarësisht se ai lexon diçka që nuk i ngjan poezisë, siç duartrokiten edhe ata që flasin për librat nëpër promovime.

Nuk ka ndodhur dhe as që do të ndodhë që në promovimin e ndonjë librit të theksohet ndonjë xixë kritike (si vërejtje), përkundrazi në çdo promovim vetëm se nuk thuhet: ”ky libër meriton Çmimin Nobel”.

Pra, promovimet e librave dhe orët letrare te ne gjithnjë e më shumë po u ngjajnë “kanagjegjeve”, sepse të nesërmen ato botime thjeshtë, në mënyrë absolute, harrohen, siç ndodh edhe me orët letrare që përfundojnë me ndonjë gotë që pastaj të detyrojnë më shpesh të shkosh në WC (mjerë ata “veteranë” të poezisë që kanë probleme me prostatën).

Pra, libri nuk ka nevojë që të promovohet në mënyra fatkeqe, por libri, nëse ka brumë, duhet të bëhet objekt debati, si për të mirë ashtu edhe për të keqe, sepse vetëm përmes debatit, kuptohet, konstruktiv, ata që i janë përkushtuar krijimtarisë, mund të mësojnë më shumë dhe të ecin para./HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat