Fletëza nga ditari i përzhitur (2)

Kultura

Fletëza nga ditari i përzhitur (2)

Nga: Sinan Gashi Më: 14 maj 2022 Në ora: 14:19
Sinan Gashi

Pas marrjen në pyetje dhe diferencimit politik që na bënë në gjimnaz, pas demonstratave e 2 prillit të vitit 1981, e cila pikënisjen e kishte nga oborri i gjimnazit “Skënderbeu” në Gllogovc, kur nxënësi i klasës së dytë, Enver Dugolli, lëshoi orën e mësimit dhe pastaj, pasi hypi mbi një makinë aty, lexoi me emocion një letër apeli për padrejtësitë kombëtare që na bëheshin nga shteti serb dhe qëllimin e kësaj nisme, duke i renditur padrejtësitë, deri edhe atë për heqjen e emrit të gjimnazit ‘Skënderbeu’ dhe vendosjen ‘Mareshalit Tito’, në prani të nxënësve, profesorëve dhe qytetarëve, që ishin koordinuar të mblidheshin në vendin dhe kohën e caktuar, pasi që e enjta ishte ditë tregu, vijoj demonstrata kah qyteti, nën përcjelljen e milicisë fillimisht shqiptare... Pastaj nisen burgosjet, përjashtimet, diferencimet, në veçanti me synim në këtë shkollë, që emërtohej Qendra e Arsimit të Mesëm të Orientuar ‘M.Tito’.

Pas disa ditësh, nisi procesi i diferencimit në Gjimnaz. Kështu, nga një komision tre anëtarësh, me kryetar nga një pensionist i administratës politike jugosllave, na dhanë edhe dënimet, të cilat në fakt i kishte fabrikuar Komiteti Komunal i LK të Gllogovcit. Vërejtja e vetme e tyre ishte pse nuk bashkëpunonim më komitetin dhe nuk i ‘zbulojmë kundërrevolucionarët në shkollë’!

Ata, së fundi, na mblodhën në një sallë të komunës dhe, sipas radhës na komunikuar vendimin gojor me largimin nga puna në arsim, si ‘të papërshtatshëm ideo-politikisht’. Nga ata ishin 18 profesorë të diplomuar, që në të vërtetë ata e mbanin suksesin dhe seriozitetin e gjimnazit. Disa nga kolegët dhe nxënësit u arrestuan.

Fillimisht, pa procedurë u largua Ymer Elshani - drejtor dhe zëvendësdrejtorja Vahide Ibriqi, ngase konsiderohej përgjegjësia më e madhe, ngase pozita u rëndonte barrën edhe më shumë.

Përndryshe, atyre që ishin me kontrata pune, nuk ua vazhdua më.

Thuhej se, pas një shqyrtimi të kësaj mase në nivel qendror krahinor, zyrtarëve komunalë u ishte dhënë vërejtje për ato masa drastike, sa rezultonte me mbylljen e shkollës. Ajo nuk mund të funksiononte pa kuadro të kualifikuara. Kështu, pas një jave, u zbut kriteri dhe kinse disa kishin bërë lëshime të vogla, dhe mund të ktheheshin në punë me nga një vërejte, ndërsa vetëm për tre vendimi mbeti në fuqi, për Sinan Gashin, prof. i gjuhë-letërsisë shqipe. Beqir Gllarevën, prof. i biologjisë dhe Hamdi Thaqin, prof. i historisë, Nefise Janova, Banush Hoxha, Sahit Berisha, .... Këta tre të parët u sistemuan në administratë, të cilëve nuk u kishin lëshuar as vendim largimi; pra u sistemua në BVI-në për Shëndetësi dhe Punë Sociale S. Gashi, B. Glareva në laboratorin e Fermës së brojlerëve (shpeztarisë) te Kroi i Mbretit dhe H. Thaqi në arkivin e Kuvendit komunal. Puna e re duhej filluar nga 1 shtatori 1981.

Unë nuk shkova dy ditët e para, në shenjë revolte, por kur më tha babai se ligjërisht mund të mbetesh në rrugë, me arsyetimin se me dëshirë ke refuzuar punën, shkova, por së tepërmi i emocionuar kur shihja nga dritarja e zyrës, që shikonte kah rruga, kur nxënësit grupe-grupe shkonin për në gjimnaz, i cili është në bisht të qytetit.

Më caktuan detyrën e referentit juridik!. O zot, ç’është kjo dhe ç’farë duhej të bëja. Me mendjen time gjithmonë i kisha sharë nën hundë administratorët, që mendoja se janë parazitët e shoqërisë, e tashti unë rashë në atë gropë. Me caktuan te një ‘shef’ me dy vite të juridikut, i cili me jepte detyra, duke me shikuar si mosbesues, ngase tashti kisha etiketën ‘i papërshtatshëm, për pushtetin...’. As tavolinë pune nuk kisha fillimisht, por ulur në një kanape të vjetruar, do vendime të shaptilografuara i plotësoja me shënime fillestare, duke mbajtur dosjet në gjunjë. Vërtetë punoja shumë, ngase ashtu mendoja ta largoja ngarkesën e trusnisë emocionale, por edhe se ato ishin punë tepër elementare, që do i bënte edhe një fillorist. Rubrikat e paplotësuara duhej dhënë shënimet, si emri e mbiemri, datëlindja, fshati i klientit, ndërsa sasia e mjeteve të ndihmës sociale, e plotësonte Sekretari (ashtu quhej posti i zyrtarit kryesor i atij enti). Nganjëherë dilja në korridorin e ngushtë dhe endesha poshtë-lart, duke u munduar t’i sistemoja të gjitha këto rrokullisje dhe mbrapshti që krijoi politika zyrtare qendrore, vendime që i zbatonte me përpikëri ajo komunale, në mos shtonte edhe diçka, prapa se cilave fshihej xhelozia, hakmarrja, smira e veti të tjera të politikanëve karrieristë provincialë.

Pas pak muajsh, fati deshi e dolëm në lokalin e vjetër të Shtëpisë së shëndeti, ku kishte zyre të mjaftueshme dhe frymëmarrje tjetër.

Vendi i punës më ndërrohej sipas tekeve të dikujt, që unë i regjistroja si provokim ndaj një ‘kryepërpjeti’ siç mund të cilësohesha nga ata.

Për një muaj më vendosen në referatin e sigurimit shëndetësor të bujqve, ku duhej t’ua plotësoja librezat shëndetësore dhe t’i vërtetoja ato, por me afate për aq sa kishin paguar tatimin në pronë. Unë, pa një pa dy, as që i pyesja se a e kanë kryer obligimin tatimor, por të gjithëve ua zyrtarizoja sigurimin njëvjeçar. Por, e vërteta nuk fshihet gjithnjë.

Në një dasmë kishin biseduar fshatarët edhe për hallet e tyre, në pauzat e ndërprerjes së muzikës folklorike mes odës. Njëri, që nuk kishte pasur mundësi të paguante tatimin e Komunës, kishte thënë se ‘kanë bërë keq që e kanë larguar profesorin, se na i mësonte mirë fëmijët, por edhe këtu na shpëtoj se nuk po na i kërkon dëshmitë për tatimet e papaguara!’.

Kjo bëri që vendi im të ndërrohej tashti në referent juridik, në një zyre të fshehur në skaj të korridorit, ku as që kishte klientë të jashtëm. Unë kisha ata 13 punëtorë të BVI-së, me të cilët duhej të merresha, me dokumentet e tyre, si vendimet e punës, kontratat për pushime vjetore, mjekësore, e tjerë, apo edhe të freskoja rregulloret aktuale me risitë ligjore, mbështetur në Gazetat zyrtare të KSAK.

Ngase edhe ato i rregullova në formë unike shaptilografimi, nuk kisha aq punë, përkatësisht një orë punë efektive.

Ngase koha tjetër ishte bosh, dhe aso kohe përgatisja temën e magjistraturës, për krijimtarinë letrare të Nonda Bulkës, në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, merrja me vete çantën përplot libra profesionalë. Për çudi edhe ky veprim kishte shkuar në vesh të sekretarit, i cili me thirri përmes pastruesit dhe më tërhoqi vërejtjen se ‘Faji nuk është i yni, por i yti që je këtu!’.

Pa lëshuar zë dola jashtë.

Të nesërmen, kur kisha hapur një libër shkencor, hyri referenti i besueshëm thinjosh, i cili ngriti kapakun e librit dhe tha zhagas se këtu nuk është vend për lexim. ‘Ke obligimet zyrtare!’, përfundoi duke mbyllur derën mbrapa.

Si t’ia bëja, mendoja gjithë atë pasdite, duke ndjerë rrezikun se mund të më shpallin të padisiplinuar dhe do me flaknin në rrugë, që ishte kënaqësi e tyre.

Në shtëpi kisha edhe libra shkencore e letrare në gjuhën serbokroate dhe, njërës ia hoqa kopertinat dhe librin shqip e mbështolla me to, dhe nisa sërish të lexoja. Nuk vajti ora e parë, e punës, kur kokëthinjuri mësyu kah libri mbi tavolinë. Ai ngriti kopertinën dhe, pasi pa emrin e autorit dhe titullin e librit në serbokroatisht, më shikoi me habi, duke m’u drejtua: ’A, edhe këso lexon ti, a?!’ Duke e ditur se ai ishte analfabet me tri kurse nate pas Luftës së dytë Botërore kryer në Gjakovë, ia ktheva: ‘Po këta janë të mençur, se na nuk kemi asfare literature. Librat në serbokroatisht kanë vlerë!’

Truku pati sukses, ngase ai u bind se unë kisha atë bindje dhe, i kënaqur në të vetmen se unë kisha ndryshuar kurs, doli i qetë.

Asnjëherë më nuk më ka kontrolluar. Unë të vetmen kopertinë e kam përdorë për dhjetëra libra gjatë nëntë viteve të ‘jurispodencës’ sime të kushtëzuar

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat