Një kënaqësi e “shkrimtarit” shqiptar!

Kultura

Një kënaqësi e “shkrimtarit” shqiptar!

Nga: Hejza Art Më: 5 dhjetor 2022 Në ora: 12:24
Foto ilustrim

Në komunitetin e shkrimtarëve shqiptar ka lloj-lloj personalitete. Ndër ta ka edhe të atillë që bëjnë çmos për ta pasuruar biografinë letrare, pavarësisht faktit se krijimtaria e tyre nuk ka vlera të qëndrueshme artistike. Ky lloj i shkrimtarëve ditë e natë “punojnë” për të hapur kanale “miqësie”, me qëllim që prezenca e tyre të jetë e “përhershme” në qarqet letrare.

Të jesh i përkthyer në gjuhë të tjera, natyrisht se për çdo krijues do të kishte një domethënie të rëndësishme, por me një kusht: se pari të jesh prezent dhe i pranuar nga ana e lexuesit shqiptar jo vetëm në Shqipëri, por gjithandej ku janë shqiptarët. Pra, disa “shkrimtarë” bëjnë çmos që të lexohen në gjuhë tjera, por duke qenë i panjohur te lexuesi shqiptar. Prandaj, është e paqartë se cili është kuptimi i kënaqësisë së tyre. Konkretisht, çfarë kënaqësia do të ndjente një shkrimtar shqiptar nga Shqipëria apo Kosova po që se botohet në gjuhën maqedonase (mësojmë se ka shumë të interesuar të botohen në këtë gjuhë, edhe përkundër faktit se edhe ata vetë, pra shkrimtarët shqiptarë, e dinë se interesimi i lexuesit maqedonas është ndoshta nën zero për shkak të disa recidivave nga e kaluara që akoma ushqejnë anti-shqiptarizëm) pa qenë i njohur te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut! Nëse këta shkrimtarë mendojnë se janë shqiptarë tjerë, atëherë ata gabohen shumë. Duhet të jetë e qartë se pa u njohur ne midis vete, të tjerët as që do të donin të dëgjojnë, sepse Ballkanit edhe për shumë koha nuk do t’i mënjanohet ngjyra e urrejtjes, por edhe e kontradiktave të shumta, kontradikta këto mjaft prezent edhe midis shqiptarëve, të cilët vazhdojnë ta djegin jorganin për një plesht.

Shkrimtarët shqiptarët, sidomos ata në Shqipëri, edhe përkundër manifestimit të një kozmopolitizmi të çuditshëm, botimi i tyre ne gjuhën serbe apo maqedonase akoma është i hershëm, sepse do të ngelin vetëm në nivelin e leximit të lajmit se vepra e tyre është botuar në këto dy gjuhë. Ndaj, të gjitha përpjekjet e këtij komuniteti (të shkrimtarëve) duhet të orientohet në gjetjen e formave për ta njohur njëri tjetrin edhe përmes veprave të autorëve, të cilat duhet të jenë prezent gjithandej hapësirave shqiptare. Shkrimtari shqiptar nga Maqedonia e Veriut, përmes veprës së tij, duhet të jetë prezent në Shqipëri e Kosova dhe anasjelltas, shkrimtarët nga Shqipëria e Kosova në Maqedoninë e Veriut. Vetëm kështu ka kuptim, ndërkaq kapërcimi i kësaj për qëllime të ulëta, është kundër-produktiv dhe pa përmbajtje. Mbase mjaft tregon edhe fakti se botuesit maqedonas nuk tregojnë pothuaj asnjë interesim për krijuesit shqiptarë që janë autoktonë në Maqedoninë e Veriut.

Përpjekja e sinqertë e ndonjë botuesi shqiptar për t’i ofruar lexuesit maqedonas një autor shqiptarë, akoma mund të konsiderohet si përpjekje e kotë, pavarësisht shembujve të mirë të shqiptarëve që në manifestimet letrare jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Shqipëri e Kosovë, prezenca e krijuesve maqedonas, gjithnjë e më shumë po bëhet realitet...

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat