Ministri në detyrë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku ka thënë se Kosova nuk po e humb hapin në përgatitje për organizimin e Lojërave Mesdhetare, me theks të veçantë në ndërtimin e infrastrukturës sportive.
Në panelin diskutues të konferencës së organizuar nga Instituti për Hulumtime dhe Zhvillim në Prishtinë (PIRDEV), Çeku ka thënë se plani për zhvillimin dhe ndërtimin e infrastrukturës sportive kishte ekzistuar para marrjes së drejtës për organizimin e lojërave dhe se ai po zbatohet sipas planifikimeve, derisa shtoi se më 2029 infrastruktura sportive duhet të jetë e kompletuar.
Sipas Çekut, një pengesë në këtë drejtim është fakti se Ligji për Lojërat Mesdhetare është dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe sa më shpejt që merret kjo përgjigje, aq më i lehtë do të jetë përparimi tutje në këtë objektiv.
Ministri në detyrë Çeku foli edhe për stadiumin kombëtar, i cili ishte ndër zotimet kryesore për ta fituar organizimin e Lojërave Mesdhetare.
Për këtë çështje, Çeku theksoi se ndërtimi i stadiumit kombëtar nuk ka afat kohor që të ndërtohet para 2030.
Sipas tij, do t'i takojë Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare të vendosë nëse ky stadium është shumë i nevojshëm për këtë fazë krahasuar me ngritjen e përgjithshme të infrastrukturës së futbollist në vend duke shtuar se e gjithë kjo duhet të bëhet në koordinim të plotë me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.
Anëtari i Bordit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Florian Miftari, theksoi se ky institucion ka dërguar një letër në Kushtetuese përmes së cilës është kërkuar që sa më shpejt të merret një vendim që të fillohen punët me kapacitet të plotë, në mënyrë që në Lojërat Mesdhetare të dëshmohet si vend që ka kapacitete për organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive.
Miftari tutje shtoi se në aspektin sportiv Kosova në këto lojëra synon si në sporte individuale ashtu edhe grupore të arrijë suksese duke synuar medalje elitare, raporton KosovaPress.
Në këtë panel u diskutua edhe për nevojën që Kosova ka për të pasur akademi olimpike, trajner të përgatitur nga Fakulteti i Edukimi Fizik dhe të Sporteve në mënyrë që talentët dhe në përgjithësi e ardhmja e sportit të jetë e ndërtuar në një bazë të shëndoshë, jo vetëm fizike, por edhe akademike.