Në Manastir, dikur moti,
u mblodhën burra me mend,
për t'i dhënë kombit shkronja,
e për ta ndritur në çdo vend.
Njëzet e dy nëntori,
u bë festë e krenarisë,
shkronjat zunë vend në letër,
si themel i shqiptarisë.
Sot kalendari na kujton,
atë kuvend me histori,
por shqiptarët, ç'është kjo punë,
s'kanë kohë për shkronja tani!
Në vend të librave, parulla,
në vend të festës, fushata,
njëri të shet patriotizëm,
e tjetri premtime të thata.
Për alfabet s'ka interes,
as për libra, as për dituri,
por kur vjen puna e pushtetit,
çdo parti bëhet akademi!
Në Preshevë e në Bujanoc,
në Medvegjë e gjithandej,
Alfabeti pret ta nderojnë,
anembanë kufijve përtej.
O delegatë të Manastirit,
po të ngriheshit sot prej varrit,
do të kërkonit nga një abetare,
për çdo kokë të shqiptarit!
E kur të vijë njëzet e dyshi,
do të dalin me kurora në duar,
do ta puthin alfabetin në ballë,
e prapë do të ndahen të zemëruar!
Prandaj, miq të humorit e satirës,
mos e merrni këtë histori aventurë,
se shkronjat nuk kërkojnë pushtet,
por dinjitet, identitet e kulturë!
Kongresi i Manastirit la shkronjat,
me porosinë e madhe të amanetit;
mos e shndërroni alfabetin në dekor,
e patriotizmin në biznes të pushtetit!