Kraja, ku zëri i shkrimtarit takon kujtesën e vendlindjes

Kultura

Kraja, ku zëri i shkrimtarit takon kujtesën e vendlindjes

Nga: Neki Lulaj Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 11:21
Neki Lulaj

Ka mbrëmje kur kultura nuk është vetëm një ngjarje, një film apo një fjalë e thënë para publikut. Ka mbrëmje kur ajo shndërrohet në takim me kujtesën, me vendlindjen, me njerëzit dhe me një pjesë të historisë sonë që nuk shuhet, edhe kur vitet kalojnë e rrugët e jetës na shpërndajnë nëpër botë.

Një mbrëmje e tillë ishte edhe manifestimi kulturor i mbajtur në Ostros të Krajës, ku Shtëpia e Kulturës, për shkak të pjesëmarrjes së jashtëzakonshme, dukej e vogël për t’i nxënë të gjithë ata që kishin ardhur nga Kështenja, Ostrosi, Ulqini dhe treva të tjera përreth. Kishin ardhur edhe mysafirë nga Prishtina, për të qenë pjesë e një ngjarjeje të veçantë kulturore, shfaqjes së dokumentarit të autorit Haxhi Shabani, kushtuar akademik Mehmet Krajës, me titullin domethënës “Zëri që çan rrezën përgjysmë”.

Në atë sallë, përtej dritave, përtej duartrokitjeve dhe fjalëve të përshëndetjes, sikur bashkoheshin dy botë: bota e kujtimeve dhe bota e së tashmes. Në mesin e të pranishmëve ishte edhe vetë akademik Mehmet  Kraja, i shoqëruar nga familjarët e tij, njeriu që atë mbrëmje nuk ishte vetëm protagonist i një filmi dokumentar, por edhe biri i Krajës, i vendit ku kishte lindur, ku kishte marrë hapat e parë të dijes dhe ku rrënjët e jetës së tij kishin mbetur të lidhura.

Aktivitetin e hapi moderatorja, e cila fjalën ia kaloi kryetarit të Bashkësisë Lokale të Ostrosit, Beqir  Beriashit. Përshëndetja e tij ishte e thjeshtë, por e ngrohtë, siç janë fjalët që dalin nga zemra kur njeriu pret në shtëpinë e vet një bir të vendit, i cili, përmes veprës dhe dijes, ka bërë emër në botën shqiptare.

Ai shprehu kënaqësinë dhe nderin që akademik Mehmet  Kraja ishte kthyer në mesin e bashkëvendësve, në shtëpinë e vet, në vendin ku kishte lindur dhe ku kishte përfunduar shkollën fillore. Në atë përshëndetje kishte më shumë se një urim; kishte një ndjenjë krenarie, një përqafim të heshtur të vendlindjes me njeriun që e kishte bartur emrin e saj nëpër udhët e jetës.

Më pas, fjalën e mori autori i dokumentarit, Haxhi Shabani, i cili tregoi se akademik Mehmet  Kraja nuk e kishte parë ende filmin që do të shfaqej atë mbrëmje. Ai rrëfeu për jetën, formimin dhe rrugëtimin e tij, duke e përshkruar si një njeri të përkushtuar ndaj dijes, librit dhe krijimtarisë, që nga bankat e shkollës fillore në Ostros, në gjimnazin e Ulqinit e deri në studimet universitare në Prishtinë.

Rrugëtimi i Krajës ishte rrugëtim i një njeriu që librin e kishte bërë pjesë të pandashme të jetës. Me punë, përkushtim dhe talent, ai ndërtoi një karrierë të rëndësishme akademike e letrare, duke u bërë një nga figurat e njohura të kulturës shqiptare. Për gjashtë vjet rresht ai ishte në krye të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa krijimtaria e tij dëshmon një jetë të tërë në shërbim të fjalës, mendimit dhe letërsisë.

Trembëdhjetë romane, pesë përmbledhje me tregime, dhjetë drama, tri vepra me kritikë letrare e publicistikë, si dhe skenarë filmash, përbëjnë një pjesë të veprës së tij të gjerë. Disa nga veprat janë përkthyer edhe në gjuhën malazeze. Haxhi Shabani e cilësoi Krajën si një autor me peshë të veçantë në letrat shqipe, një krijues që ecën me kohën, por që edhe e sfidon atë, duke lënë gjurmë të qëndrueshme në kulturën tonë.

Pastaj salla u përqendrua në ekran. Dokumentari 55-minutësh, i realizuar me përkushtim e ndjeshmëri artistike, u përcoll me kureshtje dhe vëmendje nga të gjithë. Nëpërmjet rrëfimeve, imazheve dhe kujtimeve, publiku u njoh më nga afër me jetën, veprën dhe botën e një shkrimtari, i cili në krijimtarinë e tij nuk e ndan njeriun nga koha, as jetën nga kujtesa.

Një punë e çmuar e Haxhi Shabanit dhe ekipit të tij, një dëshmi se dokumentari, kur ndërtohet me dashuri dhe përkushtim, mund të bëhet më shumë se një film: mund të jetë një urë ndërmjet brezave, një dritare nga e cila shohim jetën e një njeriu dhe kohën në të cilën ai ka jetuar.

Në përfundim të shfaqjes, akademik Mehmet Kraja u nderua me një mirënjohje nga Bashkësia Lokale e Ostrosit. Ishte një shenjë respekti për veprën e tij, por edhe për lidhjen që ai vazhdon ta ruajë me vendlindjen.

Në fjalën e tij të falënderimit, Kraja shprehu mirënjohjen e sinqertë për Haxhi Shabanin, ekipin realizues dhe sponsorët që mundësuan këtë projekt, si dhe për të gjithë të pranishmit që kishin ndarë kohën për të qenë pjesë e kësaj mbrëmjeje.Por, në fjalët e tij, përtej falënderimeve, ndihej edhe pesha e kohës, e përvojave dhe e ndryshimeve që kishin ndodhur në jetën e njerëzve e në shoqëri.

“Vëllezër, tanimë është bërë më mirë se çka qenë, edhe këtu, edhe në Prishtinë. Tani më nuk pres me frikë se kush do të më trokasë në derë”, u shpreh ai, duke lënë të kuptohej se pas këtyre fjalëve qëndron një histori e gjatë, një kohë me ankth, pasiguri dhe përjetime që nuk harrohen lehtë.

Duke folur për krijimtarinë, ai theksoi se shkrimet e çdo shkrimtari apo poeti shpalosin botën e brendshme shpirtërore dhe jetësore. Tregoi se jeton mes Prishtinës dhe Krajës dhe se përpiqet gjithmonë të jetë origjinal në krijimtarinë e tij. Ndoshta pikërisht këtu qëndron një pjesë e rëndësisë së shkrimtarit: në aftësinë për ta shndërruar përvojën e jetës në fjalë, për ta bërë kujtimin letërsi dhe për ta bartur të vërtetën e kohës përmes veprës.

Në fund, një fjali e tij sikur i mblodhi të gjitha ndjenjat e asaj mbrëmjeje, mallin, krenarinë dhe dhimbjen e një vendi që dikur kishte më shumë jetë, më shumë zëra, më shumë hapa nëpër rrugët e tij.

“Kraja e sot, Kraja ime, ka pak njerëz e shumë varre.”

Kjo fjali nuk ishte thjesht një përfundim i fjalës së akademikut. Ishte një psherëtimë e thellë, një fotografi e dhimbshme e realitetit, një thirrje e heshtur për të mos e harruar vendin, njerëzit, shtëpitë dhe rrënjët. Sepse vendlindja nuk është vetëm hapësira ku kemi lindur. Ajo është pjesë e shpirtit, e kujtesës dhe e identitetit tonë. Edhe kur rrugët na largojnë, edhe kur jetën e ndërtojmë diku tjetër, një pjesë e jona mbetet gjithmonë aty, në gurët e pragut, në rrugët e fëmijërisë, në zërat që nuk dëgjohen më dhe në varret që na kujtojnë se koha është e pamëshirshme.

Manifestimi kulturor në Ostros nuk ishte vetëm një përurim i një dokumentari për një shkrimtar. Ishte një mbrëmje e kujtesës, e respektit dhe e dashurisë për Krajën. Ishte dëshmi se kultura i bashkon njerëzit, se vepra e një krijuesi mund ta kapërcejë kohën dhe largësinë, dhe se vendlindja, sado e zbrazur të jetë, vazhdon të jetojë përmes bijve të saj.

Atë mbrëmje, në Ostros, filmi mbaroi, por zëri i shkrimtarit, zëri i Krajës dhe zëri i kujtesës mbetën të gjallë. Dhe ndoshta kjo është fitorja më e madhe e kulturës: të mos lejojë që as njerëzit, as vendet, as historitë e tyre të bien në heshtje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat