​Publikohet libri digjital “Historia ime, dinjiteti im”

Kultura

​Publikohet libri digjital “Historia ime, dinjiteti im”

Më: 19 nëntor 2025 Në ora: 17:34
Foto ilustrim

Është publikuar të mërkurën libri digjital me rrëfime “Historia ime, dinjiteti im”, i realizuar nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim (CFID).

Ky libër, autore e të cilit është gazetarja Shqipe Pajaziti, përmbledh 10 rrëfime të grave me aftësi të kufizuara dhe nënave vetushqyese të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ato flasin hapur për sfidat, familjen, shoqërinë, institucionet, e në veçanti për mungesën e mundësive për arsimim dhe punësim, për barrierat fizike, paragjykimet dhe diskriminimin që hasin çdo ditë.

Libri është realizuar në tre gjuhë — shqip, anglisht dhe serbisht — dhe është i disponueshëm online në kanalet e CFID-it.

Këtu mund të lexoni librin Historia ime, dinjiteti im.

Qëllimi i botimit është të rrisë vetëdijen, si në nivel shoqëror ashtu edhe institucional, për të drejtat, dinjitetin dhe kontributin e këtyre grave në shoqëri.

Ju ftojmë të lexoni librin dhe të ndihmoni përhapjen e mesazhit — se aftësia e kufizuar nuk është pengesë për të qenë pjesë aktive dhe kontribuese në shoqëri.

Pak më shumë rreth librit:

Libri digjital me rrëfime “Historia ime, dinjiteti im” është realizuar në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë “Historia ime, dinjiteti im: adresimi i diskriminimit dhe dhunës me bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara dhe nënave vetushqyese të fëmijëve me aftësi të kufizuara”, i implementuar nga Handikos Gjilan në partneritet me OJQ Inkluzioni, Handikos Ranilug dhe Qendrën për Inovacion dhe Zhvillim (CFID).

Përgjatë viteve, projekti “Historia ime, dinjiteti im” ka ofruar mbështetje për gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara dhe nënat vetushqyese të fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke ndërthurur rehabilitimin, fuqizimin dhe avokimin. Përmes klinikës mobile, projekti ka ofruar shërbime psikosociale dhe ndihmë mjekësore e ligjore me bazë në shtëpi për qindra familje, duke siguruar qasje në kujdes dhe shërbime publike. Projekti gjithashtu ka krijuar grupe vetëpërkrahëse që kanë promovuar solidaritetin, mirëqenien emocionale dhe lidershipin tek gratë, duke i kthyer përfitueset në avokuese aktive për të drejtat e tyre. Për më tepër, ka forcuar bashkëpunimin ndërmjet shoqërisë civile dhe institucioneve, ka inkurajuar ndryshime gjithëpërfshirëse në politika dhe ka rritur vetëdijen publike përmes përmbajtjeve multimediale, përfshirë këtë libër digjital. Duke amplifikuar zërat e këtyre grave dhe vajzave, projekti ka ndërtuar një rrjet të qëndrueshëm fuqizimi dhe përfshirjeje që ka kthyer cenueshmërinë në qëndrueshmëri dhe historitë e vështirësive në histori force dhe dinjiteti.

Ky botim, që mban të njëjtin titull si iniciativa -“Historia ime, dinjiteti im” - u jep zë grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara, si dhe nënave vetushqyese të fëmijëve me aftësi të kufizuara, të cilat janë përballur me pengesa të përditshme, por vazhdojnë të ngrihen me forcë, rezistencë dhe dinjitet.

I publikuar gjatë 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, ky libër digjital është një dëshmi e fuqisë së rrëfimit për të frymëzuar reflektimin, dialogun dhe transformimin. Libri poashtu është një thirrje drejtuar shoqërisë dhe institucioneve për të njohur, mbështetur dhe mbrojtur të drejtat e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara dhe të nënave vetushqyese të fëmijëve me aftësi të kufizuara, për të siguruar që historitë e tyre të vështirësive të shndërrohen në histori përfshirjeje dhe dinjiteti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat