James Blunt i lumtur që pandemia ia mundësoi të kalojë pak kohë me familje

Mediale Vip

James Blunt i lumtur që pandemia ia mundësoi të kalojë pak kohë me familje

Më: 7 qershor 2021 Në ora: 09:21
James Blunt

Këngëtari i njohur britanik, James Blunt, e ka përshkruar pandeminë e koronavirusit si një bekim i maskuar për karrierën e tij muzikore.

Ylli i hitit “You’re Beautiful” ishte planifikuar ta fillojë turneun pak para se të shpërthente pandemia globale, e cila bëri që industria e muzikës të pezullohet për një vit e disa muaj. Dhe sipas këngëtarit, kjo gjë ia mundësoi të pushojë pak kohë nga muzika, për çka kishte vërtetë shumë nevojë.

Blunt i cili i ka dy djem me bashkëshorten Sofia Wellesley, deklaroi: “Unë duhej të isha në turne për një vit të plotë, por për shkak të krizës shëndetësore u dërgova në shtëpi. Dhe për mua kjo ishte një gjë e mirë sepse në përgjithësi, nuk kaloj shumë kohë në shtëpi me familjne time. Për një kohë të gjatë u kisha premtuar atyre se do të pushoja një vit nga muzika, por në fakt i kisha gënjyer për këtë gjë, sepse asnjëherë nuk planifikoja të largohem me dëshirë nga skena. Prandaj, kjo pauzë e shkaktuar nga pandemia ishte diçka e mirë për mua. Më mundësoi të kaloja kohë në shtëpi, të bëja gjëra të cilat i bëjnë të rriturit dhe njerëzit familjarë. Kështu që, në njëfarë forme do të thosha se kjo situatë ishte një bekim i maskuar për mua”.

47-vjeçari Blunt po ashtu e kishte hapur një bar në Londër, pak para krizës së COVID-19, por e pranoi se nuk ka bërë zgjidhje shumë të mirë të biznesit.

“Në fakt unë jam në biznesin e gabuar. Me ardhjen e pandemisë, industria e muzikës dhe turnetë të cilët na gjenerojnë të holla neve artistëve, u pezulluan. Edhe biznesi i bareve, pjesë e së cilit jam edhe unë sepse jam pronar i një bari në Londër, u mbyll. Dhe kjo tregon se unë definitivisht kam zgjedhur bizneset e gabuara”.

Tutje, këngëtari deklaroi se është shumë i lumtur që situatës së shkaktuar nga pandemia po i vjen fundi, dhe ai tashmë ka filluar të përgatitet të kthehet në rrugë me koncerte nëpër qytete të ndryshme të botës.

James Blunt i cili kryesisht shquhet për këngë melankolike, e kishte lansuar albumin debutues “Back To Bedlam” në vitin 2004. Tri vjet më vonë e realizoi albumin “All The Lost Souls”, kurse në vitin 2010 e publikoi incizimin me titull “Some Kind of Trouble”. Më 2013 i trajtoi fansat edhe me një album tjetër të titulluar “Moon Landing”, para se ta shënonte një pauzë katër vjeçare. Në vitin 2017 e publikoi albumin “The Afterlove”, dhe më 2019 e lansoi edhe incizimin e tij të fundit, “Once Upon A Mind”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat