Pa patentë, por me mjete luksi. Ja cilët janë yjet e futbollit që s’dinë t’i japin makinës

Mediale Vip

Pa patentë, por me mjete luksi. Ja cilët janë yjet e futbollit që s’dinë t’i japin makinës

Më: 29 nëntor 2022 Në ora: 18:19
Ronaldinjo

Nga “Range Rover” në “Cadillac”, nga “Ferrari” te “Lamborghini” duke drejtuar ndonjë “Mercedes” apo “Audi”. Shumë futbollistë, disa prej tyre protagonistë në Katar në Kupën e Botës 2022, njihen për koleksionet e tyre të pasura të supermakinave të fuqishme dhe luksoze.

Nga ana tjetër ka nga ata që nuk kanë marrëdhënie idilike me këto mjete. Fajësoni një shkëmb të quajtur ‘patentë’. Nga Mbape te Riçarlison, ja cilët janë lojtarët që nuk e kanë marrë ende lejen e drejtimit.

BRAZILIANI – Riçarlison është mësuar të shmangë markimet e mundimshme, por për sulmuesin e Totenhemit dhe Brazilit, leja e tij e drejtimit është një pengesë në dukje e pakapërcyeshme. Përpjekja e fundit e pa atë të marrë 36 pikë nga 56, 6 më pak se nga minimumi për kalimin e testit. Në “Ronaldo TV”, 25-vjeçari shpjegoi vështirësitë e tij: “Problemi im lidhet kryesisht me anglishten. Studimi? Përgatita 200 pyetje nga 900. Më pas shkova me pushime…” Kështu, pavarësisht pasionit për “Range Rover” të shfaqur gjerësisht në rrjetet sociale, sulmuesi detyrohet të udhëtojë me shofer ose transport publik.

ÇUDIA “MBAPE” – Shumë i shpejtë në fushë, por jo jashtë saj. Kilian Mbape është protagonisti i një paradoksi kurioz. Në fakt, sulmuesi francez 23-vjeçar i PSG-së ka një koleksion të respektueshëm “kubikësh” që nuk mund t’i drejtojë personalisht, pasi nuk ka patentë. Në garazhin e tij ka një “Ferrari 458”, i pajisur me një motor V8 me aspirim natyral 570 kuaj/fuqi, së bashku me një “Audi R8”, një xhevahir 560 kubikësh. Të pranishëm janë gjithashtu një “Mercedes” dhe një “Range Rover”, si edhe tri modele “Volkswagen”-i: nga “Tiguan” në “Touareg”, pa harruar një furgon. Një shumëllojshmëri mjetesh për të përdorur, por jo pa ndihmën e një shoferi.

TABUJA E THYER – Leja e drejtimit ka qenë prej kohësh një tabu për Zhordi Albën. Mbrojtësi i Spanjës dhe Barcelonës arriti të kalonte testin e patentës në moshën 31-vjeçare. Më parë, babai i tij e kishte shoqëruar shpesh në seancat stërvitore, ndërsa jo rrallë ishte pikasur duke lëvizur me shofer ose falë bashkëshortes. Një detaj që i kishte kushtuar më shumë se një ngacmim nga shokët dhe kundërshtarët, të cilët e provokonin shpesh në fushë. Pasi mori patentën, ai e pa të arsyeshme ta trajtonte veten mirë me një “Range Rover Sport”.

FANTAZI ME SHOFER – Mbape dhe Riçarlison nuk janë të vetmit që kanë hasur vështirësi në lidhje me patentën. Për shembull, Ronaldinjo ka shprehur gjithmonë një frikë të caktuar nga drejtimi i makinës. Një shqetësim që e shtyu drejt një vendimi drastik. Në fakt, ish-kampioni brazilian nuk ka marrë asnjëherë leje drejtimi, duke preferuar të udhëtojë me taksi apo duke u mbështetur te kushëriri i tij Tiago. Megjithatë, Ronaldinjos nuk i mungon pasioni për makinat e shtrenjta, siç e dëshmon edhe foto me “Rolls-Royce”-n e tij më të ri që e ka postuar në rrjetet sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat