Aktorja ikonë e “Sex and the City”, Sarah Jessica Parker, ka folur hapur për ndjesitë e saj të pakëndshme ndaj kërkesave të fansave për selfie me të.
Në një intervistë të fundit për emisionin “The Howard Stern Show”, e publikuar më 10 qershor në YouTube, 60-vjeçarja rrëfeu një episod të ndodhur në aeroport, kur një fanse iu afrua për një foto pa asnjë përshëndetje paraprake.
“Një grua më afrohet dhe vetëm më thotë: ‘A mund të të bëj një foto?’. Unë i thashë: ‘As nuk jemi takuar. Nuk u prezantove. Si quhesh?’”, tregoi Parker.
Pas kësaj, ajo i propozoi fanses të bisedonin për pak minuta në vend të një selfie-je, duke shtuar:
“Të garantoj që do të jetë shumë më kuptimplotë në këtë mënyrë.”
Ylli i njohur shtoi se nuk e konsideron këtë sjellje si bezdisje, por shpeshherë ndjehet e frikësuar nga afrimi i befasishëm i njerëzve me aparate fotografike në dorë.
“Unë preferoj shumë më tepër që dikush të më flasë, sesa të vijë me kamerën gati dhe të shtypë butonin. Kjo më tremb gjithmonë. Më mirë të më thonë: ‘Ky mund të mos jetë momenti por, emri im është Veronica dhe jam shumë e lumtur që të shoh.’”
Gazetari i emisionit komentoi se sjellja e saj ngjan me atë të një mësueseje që u mëson njerëzve si të sillen. Por Parker theksoi se qëllimi i saj është thjesht të ruajë një kontakt më të sinqertë dhe njerëzor me ata që e admirojnë.