Ish-banorja e “Big Brother VIP Albania”, Egli Tako, mund të rikthehet në ekranin e këtij formati, por këtë herë në një rol krejtësisht ndryshe nga ai që publiku është mësuar ta shohë.
Emri i saj po lakohet si një nga kandidaturat për të marrë drejtimin e emisionit “Big Brother Fan Club”, i cili shoqëron spektaklin dhe sjell diskutime, analiza dhe komente mbi zhvillimet brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri.
Sipas raportimeve të “Prive By LS”, Egli ka hyrë në negociata për moderimin e këtij formati dhe përgjigjja e saj fillestare ndaj ofertës ka qenë pozitive. Megjithatë, deri më tani nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare dhe angazhimi i saj nuk është zyrtarizuar, transmeton "Bota sot".
Mundësia e rikthimit të Eglit në këtë format vjen pas eksperiencës së saj si banore, ku u bë një nga personazhet më të komentuara dhe të ndjekura nga publiku. Përfshirja e saj në një rol drejtues do të shënonte një hap të ri në karrierën televizive.
Ndërkohë, emri i Eglit nuk është i vetmi që është përmendur për këtë pozitë. Edhe Selin Bollati ishte lakuar si një kandidate e mundshme për moderimin e “Fan Club”, por ajo mohoi publikisht se do të ishte pjesë e këtij projekti.
Nëse negociatat përfundojnë me marrëveshje, Egli Tako do të kalonte nga një prej protagonisteve të spektaklit në moderimin e emisionit që komenton dhe analizon çdo javë ngjarjet e tij.
Mbetet të shihet nëse produksioni do ta konfirmojë zyrtarisht këtë zgjedhje dhe nëse publiku do ta shohë Eglin në një rol të ri televiziv.