Tek e dëgjon, duket sikur je duke dëgjuar një këngëtare të muzikës pop nga top-listat amerikane. Por, në fakt, megjithëse emri dhe zëri i saj njihen edhe te audienca e huaj, ajo nuk është amerikane, madje as finlandeze, aty ku edhe jeton, por shqiptare me origjinë nga Kosova.
Kjo është Rina Januzi, e cila vetëm pak ditë më parë ka sjellë projektin e saj më të ri muzikor me titull “End of Party”, ku muzikën dhe aranzhmanin ia ka besuar mjeshtrit Florent Boshnjaku, ndërsa klipi vjen bukur me tematikën e punuar nga Pinkmoon Productions, drejtuar nga Berat Hasani.
Artistja, e cila ka nisur të realizojë ëndrrat e saj në muzikë dhe po ecën me siguri, shikon shumë larg e lart. Kjo falë talentit të saj dhe çmimeve të shumta, qoftë nga eventet shqiptare, por edhe nga festivale ndërkombëtare. Çmimin më të fundit e rrëmbeu në një festival të njohur muzikor në Finlandë, në “Can U Louhela Jam 2026”, ku fitoi edhe çmimin kryesor të publikut.
Nëse një ditë të afërt zëri i saj do të jetë aty ku janë Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha, Ava Max e të tjera artiste shqiptare, mos na thoni se nuk ju paralajmëruam.
Deri atëherë, shijoni zërin e saj unik me këngën më të re në linkun më poshtë.