Nxirren jashtë të gjithë minatorët e ngujuar në minierën e Trepçës, rrëfen një nga minatorët

Mitrovica

Nxirren jashtë të gjithë minatorët e ngujuar në minierën e Trepçës, rrëfen një nga minatorët

Më: 22 janar 2019 Në ora: 15:53

(E plotësuar) - 110 minatorë të Trepçës kanë mbetur sot të ngujuar për disa orë brenda minierës, për shkak të prishjes së trafos kryesore të rrymës. Ani pse me vështirësi, ata kanë arritur të dalin jashtë, në bazë të një linje alternative.

Ndryshe, nga realiteti ministri i Zhvillimit Ekonomik, teksa po deklaronte për situatën në minierë, nuk e dinte numrin e saktë e minatorëve që ndodheshin aty. Ai tha se në minierë kanë mbetur të  ngujuar vetëm 10 punëtorë.

Gani Osmani, në paraditën e sotme, po punonte në horizontin e tetë të minierës së Trepçës. Derisa së  bashku me dhjetëra minatorë po gërmonin nën tokë, zjarri përfshiu trafostacionin mbi sipërfaqe. Ku më pas u ndërpre rryma në gjithë hapësirën, e po ashtu u ndërprenë edhe të gjitha lidhjet telefonike dhe mbetën të ngujuar në minierë. Osmani ka treguar për KosovaPress, se si arritën të dalin nga kjo hapësirë.

Osmani: Janë ndërprerë edhe gjitha lidhjet telefonike

“Sot ne punën e kemi fillu në orën 07:00, diku ka ora 11:00, 11:15 është ndalur rryma, kështu përnjëherë edhe lidhjet telefonike janë ndalur përnjëherë. Ne kemi biseduar me këta sinjalistat, është një telefon i improvizuar që është me bateri dhe na lajmëruan se nuk vjen rryma, mund të ndodh gjashtë orë ose deri në tetë orë. Edhe këta punëtorët e kanë marrë një vendim, është dalja e improvizuar, është dalja e dytë ne i themi në pjesën veriore atje të minierës edhe kanë vendosur me dal në këmbë, prej horizontit në horizont”, tha ai.

Ai po ashtu tha se nuk e dinin saktë se çfarë po ndodhte, por që pohon se të gjithë ishin në panik. Madje, thotë se me raste të tilla janë mësuar.

Osmani: Këtu është rrezik, për atë kërkojmë kushte

“Po na thonë rrogat e mëdha, ne për atë kërkojmë kushte, se qe ku shkruan ‘Me fat’, për atë se këtu është rreziku. Kur po kërkojmë kushte po na thonë, jo i keni rrogat e mira”, ka shtuar ai.

Për këtë rast ka folur edhe Kryetar i Sindikatës së Punëtorve të Trepçës, Shyqri Sadiku. Ai thotë se në minierë kanë qenë të ngujuar 110 minatorë.

Sadiku: 110 minatorë kanë mbetur të ngujuar për gjashtë orë

“Sot na ka ndodh një avari, mos të them një eksplodim i trafos kryesore në Parkun Industrial që e furnizon minierën me rrymë dhe për një kohë të gjatë, mos të them gjashtë orë diku, kanë mbetur të ngujuar diku 110 minatorë brenda, që kanë qenë brenda në minierë. Unë besoj që alternativa është gjetur pas gjashtë orëve diku, shtatë orëve, që është gjetur një lidhje tjetër”, tha Sadiku.

Sipas tij, gjendja shëndetësore e të gjithë minatorëve të ngujuar për disa orë në minierë është e mirë.

Ndërsa, Halil Mehmeti teknik i elektros, ka treguar për djegien e trafos kryesore të kombinatit, në Parkun e Biznesit në Mitrovicë. Ai thotë se në atë kohë ishin duke punuar gjashtë deri në shtatë persona, mirëpo nuk ka të lënduar.

Mehmeti: Nuk ka  punëtor të lënduar

 “Këtu kanë qenë gjashtë shtatë persona, të lënduar nuk ka. Fati, kanë  mundur të jenë të gjithë të vdekur. Vetëm kishin pas fat, janë shpëtuar sepse ka qenë një avari e fortë këtu. Dhe po them një krismë e madhe që ka shkuar këtu”, ka përfunduar Mehmeti, raporton KosovaPress.

Dalin minatorët e ngujuar në Trepçë

Pas më shumë se dy orë kanë qëndruar të ngujuar minatorët e Stantërgut. Ata tashmë janë nxjerru jashtë, pas një ndërhyrje që u bë.

Minatorët kishin mbetur të ngujuar në minierë si pasojë e djegies së trafos kryesore që ndodhet në Parkun e biznesit në Mitrovicë. Ndërkohë, dalja e tyre u bë pas lëshimit të përkohshëm të rrymës në Minierën e Trepçës.

Ndërsa për këtë ka njoftuar kryetari i Sindikatës së punëtorëve në Stantërg, Shyqiri Sadiku, i cili kishte deklaruar se janë duke bërë përpjekje që përmes lidhjeve elektrike alternative të mundësohet dalja nga zgafella e minatorëve.

Sipas tij, numri i  minatorëve ka qenë mbi 100, ndërsa një gjë të tillë e ka mohuar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Gatë kohës sa minatorët ishin të ngujuar, Lluka ka thënë se gjendja e tyre nuk është alarmante dhe se se miniera ka ajrosje natyrale prandaj, sipas personave përgjegjës në teren, nuk paraqet rrezik serioz mungesa e ajrosjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat