(E plotësuar) - Afrodita do të mbahet në mend për shumë gjenerata si grua e cila me punën dhe veprën e vet la një model dhe profil të mirë të gruas, mjekes dhe qytetares së guximshme, jo vetëm në qytetin e Mitrovicës, por edhe më gjerë.
Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë akademisë përkujtimore me rastin e vdekjes së doktoreshës nga Mitrovica, Afrodita Vatovci, e cila u mbajt nën përkujdesjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Në këtë akademi, kanë marrë pjesë, kryeparlamentari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ministra dhe deputetë të vendit, familjarë, miq e kolegë të doktoreshës Vatovci, si dhe shumë qytetarë.
Kryeparlamentai i Kosovës, Kadri Veseli, theksoi se qyteti i Mitrovicës është i pasur me biografi të njerëzve të devotshëm në sakrificë dhe në liri, ndërsa shembull i vërtetë i kësaj është jeta dhe vepra e Afrodita Vatovcit.
“Identiteti i një qyteti mund të njihet më së miri nga biografia e njerëzve të dalluar të tij. Mitrovica është e pasur me biografi të tilla të njerëzve të saj, të devotshëm në sakrificë dhe në liri, ndërsa një shembull i vërtetë i kësaj është jeta dhe vepra e Afroditës. Ishte një personalitet i kompletuar në çdo pikëpamje. ”, ka thënë Veseli.
Në emër të shoqeve foli Drita Kadriu, e cila tha se mantelbardha dhe zemërbardha Afroditë do të kujtohet gjithmonë si grua dhe nënë që reflektoi pozitivitet dhe dhuroi buzëqeshjen nën hijen e syve, pavarësisht problemeve që i solli jeta.
“Do të kujtojmë si profesioniste të mrrekullueshme që me duart e prerura ua zbukurove buzëqeshjen të tjerëve. Do të kujtojmë si grua që besonte në vlerat e barazisë, drejtësisë, humanitetit, solidaritetit dhe përkushtimit për zhvillim e prosperitet shoqëror”, u shpreh Kadriu.
Ndërsa Fisnik Vatovci, djali i të ndjerës, ka bërë të ditur sa e vështirë qenka që në këtë orë përkujtimi të lexojë elegji për nënën.
“Fjalët nuk kanë peshën e duhur për të artikuluar dhimbjen dhe mallin për nënën”, sqaroi mes tjerash ai.
Për jetën dhe veprën e saj folën edhe kolege tjera të pranishme, ndërsa u lexuan edhe vargje poezie për të.
Ndryshe, stomatologia Afrodita Vatovci, e cila pas një sëmundje të rëndë vdiq më 19 janar të këtij viti në moshën 54 vjeçare, ishte këshilltare komunale nga radhët e PDK-së gjatë mandatit të kaluar, njëherësh kryetare e grupit të grave asambleiste të Mitrovicës.
Veseli: Afrodita Vatovci ishte krenaria e Mitrovicës
Kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore për vdekjen e veprimtares së shqiar të PDK-së në Mitrovicë, doktoreshës Afrodita Buqezi Vatovci.
Ai tha se identiteti i një qyteti më së miri mund të njihet nga biografia e njerëzve të dalluar të tij, ashtu siç ishte doktoreshë Afrodita.
"Identiteti i një qyteti më së miri mund të njihet nga biografia e njerëzve të dalluar të tij. Një shembull i drejtpërdrejt i këtij fakti është jeta e doktoreshës Afrodita Buqezi Vatovci. Ajo ishte personalitet i kompletuar në çdo pikëpamje. Ishte intelektuale që rrezatonte kulturë dhe mirësi. Ishte zë autentik i Mitrovicës. Ne në PDK jemi krenarë që e patëm në mesin tonë dhe sot bashkë me gjithë qytetin ndihemi të pikëlluar që na la kaq herët", ka shkruar Veseli.