U mbajt seancë solemne kushtuar atdhetarëve Latif Berisha dhe Agim Hajrizi

Mitrovica

U mbajt seancë solemne kushtuar atdhetarëve Latif Berisha dhe Agim Hajrizi

Më: 24 mars 2019 Në ora: 14:59
U mbajt seancë solemne kushtuar atdhetarëve Latif Berisha dhe Agim Hajrizi

Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, dy nga personalitetet më emblematike të qytetit të Mitrovicës, ishin shpirti i lëvizjes për liri e demokraci jo vetëm në Mitrovicë, por edhe më gjerë.

Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë seancës solemne të organizuar nga Kuvendi Komunal,  kushtuar 20 vjetorit të rënies së atdhetarëve të lirisë, profesor  Latif Berishës dhe Agim Hajrizit.

Kryesuesi i Kuvendit komunal, njëherësh kryetar i LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi, tha se Latifi dhe Agimi lanë gjurmë të thella në këtë mjedis.

Sipas tij, ata kanë qenë ndër veprimtarët më aktivë të lëvizjes së përgjithshme për liri, pavarësi e demokraci.

Kamberi: Të dy ishin njerëz të dijshëm

“Të dy ishin njerëz të ditur, fisnikë, punëtorë të palodhur, shumë të edukuar, liridashës të mëdhenj dhe njerëz të sakrificës. Latif Berisha, profesor universitar, edukator i pashoq i shumë brezave, poet e studiues i spikatur, kryetar I LDK-së në Mitrovicë, udhëheqës i aksionit për pajtimin e gjaqeve, përgjegjës në Ministrinë për Kulturë në Republikën e Kosovës gjatë viteve 90, në kohën më të vështirë. Agim Hajrizi, ekonomist i përgatitur në mënyrë të shkëlqyer, kryetar i Sindikatave të pavarura të Kosovës, kryetar i qeverisë komunale gjatë viteve nëntëdhjeta në Mitrovicë, njeri me energji të pashtershme, shumë aktiv dhe trim i mençur”, ka thënë Kamberi.

Nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka, duke folur për biografinë e Latif Berishës, ka bërë të ditur se i ndjeri ishte profesor i dalluar, poet dhe veprimtar i palodhur politik i çështjes kombëtare.

Mujka: Puna e Latif Berishës mbetet gjithnjë në zemrat e popullit

“Puna e tij me përkushtim, ideali i lartë patriotik dhe kombëtar, mbeten gjithmonë në zemrat e popullit tonë. Në këtë fushë dhe shumë të tjera ishte fanar i ndriçimit atdhetar, në hapësirën e diturisë politike, arsimore, kulturore, letrare, shkencore dhe kombëtare”, theksoi Mujka.

Ismet Beqiri, sekretar i LDK-së, u shpreh i privilegjuar për shkak se siç tha ai, kishte pasur rastin t’i njoh nga afër shumë mirë të dy këta patriotë, për të cilët tha se ishin figura shumë të çmuara dhe kontribut dhënëse për lirinë të cilën populli I Kosovës e gëzon sot.

Beqiri: Vepra e të rënëve ka bërë që ne të gëzojmë lirinë

“Puna, angazhimi dhe vepra e tyre, kanë bërë që ne të gëzojmë sot këtë që kemi. Pa dyshim se profesor Berisha ishte një intelektual i madh që fliste pak, ndërsa thoshte shumë”, sqaroi Beqiri.

Në anën tjetër, në emër të familjarëve foli vajza e Latif Berishës, Fatmire Berisha.

Ajo tha se vrasja e babait të saj ka qenë e koordinuar.

Berisha: Vrasja e babait tim ka qenë e koordinuar

“Vrasja e profesor Latifit dhe Agim Hajrizit ka qenë një vrasje e koordinuar. Këtë e them ngase prej bisedave me zonjën e Agimit, Afërdita Hajrizi, kemi konstatuar në njëfarë mënyre, sepse kemi qenë dëshmitare okulare”, tha Berisha.

Ndërsa, motra e Agimit, Lumnije Hajrizi, ka apeluar tek organet e drejtësisë që të gjenden vrasësit e vëllaut të saj Agimit, nënës dhe djalit të tij.

Hajrizi: Kërkoj që të zbulohen vrasësit e familjarëve të mi

“Edhe pse në mua sot luftojnë emocionet e dhimbjes dhe krenarisë, do të mundohem t’i mbaj sot vetëm ato të krenarisë. Veprimtari, atdhedashësi, sindikalisti Agim Hajrizi u vra më 24 mars të vitit 1999 në shtëpinë e tij në Mitrovicë, së bashku me nënën Nazmijen dhe djalin Ilirin. Ata u vranë nga dora gjakatare serbe, që sot e kësaj dite nuk dihen vrasësit”, tha Hajrizi.

Ndryshe, anëtarë të kryesisë së LDK-së sot gjatë ditës kanë bërë homazhe te varri i Latif Berishës në fshatin Smrekonicë, ndërsa të hënën në universitetin ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë, do të organizohet akademi përkujtimore kushtuar profesorit të vrarë 20 vite më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat