Përveç ndërhyrjeve për vendosjen e protezës totale, mjekët janë duke realizuar edhe një operacion tjetër si, ligamento-plastika në ligamentin kryesor të përparmë të gjurit.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm, Enis Istrefi, vlerësoi lart punën e mjekëve specialistë, derisa tha se qytetarët e Mitrovicës dhe qyteteve përreth nuk kanë nevojë më t’i drejtohen QKUK-së për të tilla shërbime ortopedike.
“Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës ka mbështetur dhe do të mbështesë në vazhdimësi Repartin e Ortopedisë për punën që po bëjnë. Qytetarët e Mitrovicës dhe Regjionit të Mitrovicës, tash e tutje, mund t’i drejtohen në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë për ato lloj të operacioneve dhe nuk kanë nevojë të shkojnë në QKUK, pasi që ato kryhen edhe te ne”, tha Istrefi.
Në anën tjetër, shefi i Repartit të Ortopedisë, Afrim Ngucati, tha se aktivizimi i shërbimeve për problemet e pjesës ortopedike ndihmon shumë edhe QKUK-në.
“Qëllimi ynë është që të shkarkohet edhe Qendra Klinike Universitare, ku dihet që është një fluks shumë i madh i pacientëve”, tha ai.
Ortopedi Amir Veseli, ndërkaq, foli për numrin e operacioneve që kryhen në baza javore, gjersa theksoi nevojën për hapjen edhe të një salle të re, në mënyrë që të mbulohen të gjitha kërkesat me kohë.
“Numri i operacioneve mund të shkojë deri në 10 brenda javës, duke përfshirë gjithë patologjinë e pjesës ortopedike” thotë Veseli.
Në këtë spital, shërbime mjekësore për problemet që ndërlidhen me ortopedinë, marrin edhe pacientë nga Vushtrria dhe Skenderaj.
Pacienti Bujar Kerolli, i shtrirë në Repartin e Ortopedisë, pas operacionit, thotë se trajtimi ishte në nivelin e duhur. Kerolli nuk ka besuar që pa pritur gjatë do të operohej.
"S’kanë nevojë të shkoj në privat, as në Shqipëri. Sa i përket Repartit të Ortopedisë, më shumë se perfekt është", vlerëson Kerolli.