Sulmohet kryetari i Leposaviqit në praninë e policëve

Mitrovica

Sulmohet kryetari i Leposaviqit në praninë e policëve

Më: 20 gusht 2019 Në ora: 14:48
Zoran Todiq

Një përleshje fizike ka ndodhur të dielën mbrëma në Leposaviq, gjatë një turniri tradicional në futboll të vogël, me ç’rast disa persona kanë rrahur kryetarin e komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq, si dhe bashkëpunëtorin e tij, Stevo Petronijeviq.

Burime të sigurta të KosovaPress-it bëjnë të ditur se Todiq dhe Petronijeviq janë rrahur nga Andrija Antonijeviq me shokë, derisa po qëndronin në publik duke shikuar lojën.

“Kryetari Todiq dhe bashkëpunëtori i tij kanë qenë në gjendje të dehur dhe kanë provokuar vazhdimisht njerëzit përreth të cilët po shikonin lojën e turnirit. Në një moment, Andrija Antonijeviq, qytetar nga Leposaviqi, së bashku me disa shokë të tij, kanë filluar t’i sulmojnë fizikisht kryetarin e kësaj komune dhe bashkëpunëtorin e tij, me ç’rast kryetari Todiq, pas marrjes së disa shpullave fytyrës ka arritur të ikë, ndërsa bashkëpunëtori i tij Stevo Petronijeviq, është rrahur keq dhe ka pësuar lëndime serioze”, kanë thënë burimet e KosovaPress.

Burimet më tej kanë shtuar se përkundër prezencës së pjesëtarëve të policisë në këtë ngjarje, askush nga policët nuk ka reaguar për të parandaluar përleshjen që ka zgjatur më shumë se pesë minuta, madje as nuk është evidentuar incidenti në raportin 24 orësh policor.

KosovaPressi ka provuar të kontaktojë me kryetarin e Leposaviqit, Zoran Todiq, por pa sukses, ndërsa e njëjta gjë ka ndodhur edhe me përgjegjësit e policisë për rajonin e veriut, të cilët pothuajse gjatë tërë ditës kanë qenë të pa qasshëm në telefon. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat