Pas njoftimit të mbrëmshëm për gjetjen e mbetjeve mortore në afërsi të qendrës së qytetit në Mitrovicë dhe thirrjes që kreu i shoqatës së personave të pagjetur “Zëri i prindërve” Bajram Qerkini bëri për veprim të shpejtë, sot punonjës të Mjekësisë Ligjore ishin në vendin e ngjarjes dhe nga aty kanë marr një sasi të mbetjeve nga disa trupa, që do dërgohen në Instituti ku do hulumtohet koha dhe eventualisht periudha të cilës i takojnë.
Bajram Qerkini kryetar i shoqatës së personave të pagjetur në Mitrovice ka shpreh mirënjohje për veprimin e shpejtë nga Mjekësia Ligjore, daljen në vendin e ngjarjes dhe marrjen e mbetjeve mortore, për të cilat thekson se mund të mos i takojnë luftës së fundit, gjë që do të konfirmohet pas ekzaminimit, pasi aty edhe më parë janë zbuluar mbetje mortore.
“Janë marr një sasi e mbetjeve mortore nga 4-5 trupa, por që sipas të gjitha gjasave mund të mos jenë nga lufta e fundit, pasi edhe më herët gjatë punimeve aty janë zbuluar eshtra. Mjekësia Ligjore është treguar shumë efikase dhe ka reaguar me kohë, tash mbetet ekzaminimi dhe përcaktimi i periudhës që i takojnë këto mbetje” ka thënë Qerkini.
Ai ka njoftuar se bazuar në tregimet e mëhershme nga personat më të vjetër të Mitrovicës, thuhet se në atë zonë më parë kanë qenë varrezat dhe këto mbetje mund të jenë nga ajo kohë.
Disa persona të rastësishëm që kalonin pranë kësaj hapësire kanë konfirmuar këtë që ka thënë Qerkini, se këto mund të jenë eshtra të shume viteve më parë pasi aty kishte varreza , para se të ndërtohej qyteti në këtë hapësirë.
Qerkini edhe njëherë ka ngritur zërin ndaj institucioneve qendrore e lokale dhe bashkësisë ndërkombëtare në presion ndaj palës serbe me qëllim që të zbardhet fati i personave të pagjetur, pasi ata kanë fakte për secilin prej tyre, që është kidnapuar dhe arrestuar nga makineria paramilitare ushtarake e policore e regjimit serb.