Varroset Selahed Mehmeti, i vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë

Mitrovica

Varroset Selahed Mehmeti, i vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë

Më: 6 prill 2021 Në ora: 18:25
Ilustrim

Sot në varrezat e dëshmorëve dhe të martirëve në Shipol të Mitrovicës iu dha lamtumira e fundit Selahed Mehmetit, i cili u vra nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ai ishte 26-vjeçar dhe evidentohej si i zhdukur deri para pak ditësh kur eshtrat e tij u identifikuan në varrezat myslimane në veri të Mitrovicës.

Bajram Çerkini, kryetar i Shoqatës së të pagjeturve në Mitrovicë, ka kritikuar institucionet se nuk kanë punuar sa duhet në këtë drejtim. Sipas tij, në këtë mënyrë po lëndohen ndjenjat e familjarëve të të pagjeturve, ndërsa potencoi se janë gjithsej edhe 115 persona të pagjetur në Mitrovicë.

Çerkini: Janë edhe 115 persona të pagjetur në Mitrovicë

“Është vështirë të flitet pas 21 vjetësh kur ne sot themi është gjetur një, dy apo janë gjetur pesë, dhe atë ku, as dy kilometra nga këtu. Do të thotë është mangësi e jona, punë jo serioze e jona, e kam fjalën për shtetin e Republikës së Kosovës, por edhe në veten time, sepse nuk kemi punuar sa duhet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, gjë që nuk po punohet as sot, nuk ka vullnet politik. Të thuhet se duhet të kryhet regjioni i Mitrovicës, sidomos pjesa e veriut kur dihet se nuk ka pasur as 10 kilogramë dhe përmbi, do të thotë krejt mbi tokë. Janë gjetur pesë, po na e sjellin një, nesër kanë me sjellë sërish, pasnesër prapë, po na prekin ne si familjarë, po na nervozojnë, thjesht po duam të çmendemi… Tash janë edhe 115 persona të pagjetur në Mitrovicë”, ka thënë Çerkini.

Lutfije Mehmeti, nëna e të ndjerit Selahed Mehmeti, u shpreh e lumtur që siç tha ajo, pas 22 vjetësh ka arritur të takohet me djalin e saj.

Mehmeti: Djalin sot e varrosëm

“Djalin sot e varrosëm. Që 22 vjet s’e kemi ditur ku e kemi pasur. Allahu sot e paska bërë nasip sot me u përpjekë e me u pa”, theksoi Mehmeti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat