Iu vra babai në veri të Mitrovicës, djali rrëfen ngjarjen e 22 vjetëve më parë

Mitrovica

Iu vra babai në veri të Mitrovicës, djali rrëfen ngjarjen e 22 vjetëve më parë

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 00:07
Engjëll Sokoli

22 vjet më parë, ata që njihen si “Rojet e Urës” ndërmorën një aksion kundër shqiptarëve të cilët jetonin në veri të Mitrovicës, ku të vrarë mbetën 10 shqiptarë dhe 25 të plagosur, derisa pas këtij aksioni u shpërngulën rreth 12 mijë persona nga kjo pjesë e qytetit të Mitrovicës.

Njëri prej të vrarëve është edhe babai i Engjëll Sokolit, i cili rrëfeu ngjarjen e 22 vjetëve më parë.

“Para 22 vitesh, ka qenë një natë makabër për familjet tona dhe të gjithë shqiptarët që janë shpërngulur nga kjo pjesë. Banorët e pjesës veriore të komunitetit serb janë mbledh dhe kanë fillu të hyjnë në pronat e shqiptarëve, ndër ta edhe në familjen tonë. Kanë thyer banesa”, u shpreh ai.

Sokoli tregoi se si i kanë mbajtur atë dhe nënën e tij me dhunë, si dhe si e vranë babain e tij, përcjell Klankosova.tv.

“Na kanë mbajtë mu edhe nanën me dhunë, na kanë nda me njëri tjetrin, ndërsa babain e ndjerë e kanë marrë dhe e kanë torturuar aq shumë, derisa i ka humbur ndjenjat dhe pas 10-15 minutash, njëri prej tyre, prej kryesorëve, i ka urdhëruar tjerët që të ikin sa më shpejtë poshtë, me pretekstin se ai i ka vendos bombë vetës, e në atë rast, ata me granatë dore, i kanë shkaktuar plagë babait, me ç’raste edhe ka ndërruar jetë atë natë”, tha ai.

Ndër të tjera, ai tregoi se si e kaluan më pas atë natë, si dhe foli edhe për rezistencën që kishin bërë, për të mos u larguar nga banesa e tyre.

“Gjatë krejt asaj nate kemi qëndruar në ankth, në banesë, e kemi kaluar natën disi edhe pse kemi kërkuar ndihmë edhe nga policia që ka qenë atëherë, edhe nga KFOR-i edhe pse nuk kemi pas ndihmë nga askush. Kemi kërkuar edhe ndihmën e shpejtë. Kemi qëndruar deri në mëngjes, ku kanë ardh patrullat e policisë për me na tërhjek nga aty, por ne nuk donim ta lenim banesën dhe kufomën e babait, por pas tri-katër tentimesh kemi parë se serbët kanë filluar të mblidhen prapë jashtë ndërtesës dhe nga frika se mos po ndodh diçka e rëndë sërish, kemi vendos që me ndihmën e policisë të dalim në pjesën jugore”, u shpreh tutje Sokoli.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat