Turne memorial në nderim të dëshmorëve nga Mitrovica të rënë në Betejën e Koshares

Mitrovica

Turne memorial në nderim të dëshmorëve nga Mitrovica të rënë në Betejën e Koshares

Më: 17 korrik 2016 Në ora: 15:34
Turne memorial në nderim të dëshmorëve

Në nderim dhe përkujtim të gjashtë dëshmorëve nga komuna e Mitrovicës, të rënë në Betejën e famshme të Koshares gjatë luftës së UÇK-së, organizuar nga Qendra Sportive “Lushta”, në Shipol të Mitrovicës është mbajtur Turneu Memorial në Futboll të Vogël,  ku morën pjesë  pesë ekipe:Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, QTA, Shipoli, Lushta dhe ekipi Ujqit.

Për të nderuar dëshmorët Harun Beka, Sylejman Shala, Besim Nuka, Ali Fejzullahu, Tafil Osmani dhe Hamdi Sheremit, që kishin rënë heroikisht në betejën më të lavdishme të UÇK-së, përveç sportistëve kishin ardhur edhe nënkryetari i komunës, Safet Kamberi, familjarë të dëshmorëve të rënë, komandantë dhe bashkëluftëtarë të dëshmorëve të rënë në Koshare, komandant dhe luftëtarë të UÇK-së nga vise të ndryshme të vendit dhe shuam qytetarë të tjerë.

Në një fjalë të shkurtër rasti, para fillimit të turneut, Hysni Syla tha se në Kosharen  legjendare, në betejën më të përgjakshme dhe më të suksesshme të UÇK-së për çlirimin e vendit nga okupatori serb, mori pjesë edhe një numër i madh i madh i luftëtarëve nga komuna e Mitrovicës, të cilët dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për mposhtjen e armikut me armatim të sofistikuar.

“Nga ky numër, në këtë betejë ta famshme që paralajmëroi fitoren definitive të popullit dhe UÇK-së ndaj forcave okupuese serbe, në përballje të drejtpërdrejtë me armikun ranë dëshmorë edhe gjashtë bashkëqytetarë, për të cilët ne sot po krenohemi dhe do të krenohen edhe brezat e ardhshëm”, tha ai ndër të tjera.

Nënkryetari i komunës, Safet Kamberi tha kujtimi me aktivitete të këtilla sportive i bahskëqytetarëve tanë që ranë dëshmorë në Betejën e Koshares, është tepër i rëndësishëm dhe domethënës.

“Unë dua t’i falënderoj shumë organizatorët, përkatësisht nismëtarët e turneut tashmë tradicional, për kujdesin që po tregojnë për bashkëluftëtarët e tyre të rënë dëshmorë. Me këtë ata po e nderojnë vetveten dhe po e shtojnë krenarinë për këta luftëtarë trima e të guximshëm të luftës për liri dhe për veten e tyre. Ne si institucione komunale gjithmonë do të jemi pranë luftëtarëve të lirisë dhe do të bëjmë çmos që amanetin e dëshmorëve ta qojmë në vend”, tha ai.

Ndërkaq, duke folur në emër të luftëtarëve të Betejës së Koshares, njëri nga komandantët, Prend Marashi, tha se Mitrovica duhet të krenohet me dëshmorët që ranë në këtë betejë.

“Me krenari të lartë mund ët ju them se në Betejën e Koshares morën pjesë shumë luftëtarë nga komuna e Mitrovicës. Ata ishin më të guximshmit dhe më tirrma dhe për këtë ndodheshin në krye të të gjitha aksioneve që UÇK-ja i mori në këtë betejë. Këtë e dëshmon edhe rënia dëshmorë në tuftë të drejtpërdrejtë me armikun e  gjashtë  mitrovicasve, të cilët sot po i kujtojmë me aktivitete sportive”, tha ndër të tjera Marashi.

Në merr të familjarëve të dëshmorëve foli babai i dëshmorit Sylejman Shala. Ai tha se dhembjen për më ët dashurit e tyre po ua zbusin shokët e luftës, të cilët asnjëherë nuk po i harrojnë dëshmorët tanë.

“Po ndjehemi krenarë, jo vetëm për bijtë tanë që ranë, por edhe për komandantët dhe shokët e tyre të luftës, që po na gjenden gjithmonë pranë dhe nuk po na lejojnë që mërzia të na shtohet. Unë nga zemra i falënderoj këta shokë të luftës të dëshmorëve tanë që po përkujdesen kaq shumë për, si për të rënit ashtu edhe për ne familjarët e tyre”, tha ai.

Fitues i turneut u shpall ekipi i luftës që në finale mposhti ekipin e Ujqve.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat