Dështon seanca kundër 35 policëve të akuzuar për korrupsion

Mitrovica

Dështon seanca kundër 35 policëve të akuzuar për korrupsion

Më: 29 qershor 2017 Në ora: 12:37
Seanca gjyqësore kundër 35 policëve të akuzuar

(E plotësuar) - Është shtyrë në afat të pacaktuar seanca gjyqësore kundër 35 policëve të akuzuar, 15 nga stacioni i jugut të Mitrovicës dhe 20 policë nga veriu, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të mitos.

Kjo seancë e cila për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve u mbajt sot në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë, u shty për shkak të mungesës së njërit prej të akuzuarve, përkatësisht Manojllo Vllashkoviq, i cili mungoi për shkaqe shëndetësore.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Avni Mehmeti, nuk janë plotësuar kushtet e mbajtjes së kësaj seance gjyqësore, ndërsa kërkoi që për shkak të efikasitetit të lëndës, të veçohet procedura për policët e stacionit të veriut, nga ata të stacionit të jugut.

 Prokurorja Zejnije Kela, u pajtua me propozimin për veçim të procedurës, ndërsa disa nga avokatët e kundërshtuan këtë propozim.

Avokati Musa Damati, ka thënë se lufta e vërtetë e korrupsionit duhet të fillohet nga kokat e kësaj shoqërie. Sipas tij, procedura nuk duhet të veçohet për shkak të interesave të drejtësisë në radhë të parë, si dhe për shkak të sistemit unik i cili ekziston në territorin e Republikës së Kosovës.

 Damati: Luftën e vërtetë të korrupsionit duhet ta fillojmë me kokat kancerogjene të kësaj shoqërie 

“Unë si avokat në këtë rast penal vazhdoj të mendoj se atë luftën e vërtetë të korrupsionit duhet ta fillojmë me kokat kancerogjene të kësaj shoqërie… Sa i përket veçimit të procedurës…mendimi im si mbrojtës në këtë rast penal është që të vazhdohet me jo veçimin e procedurës. Kjo për shkak të interesave të drejtësisë dhe për shkak të sistemit unik i cili ekziston në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, theksoi Damati.

Ndryshe, 35 policët e dyshuar u arrestuan në dhjetor të vitit të kaluar në një aksion gjatë të cilit në pranga përfunduan gjithsej 59 policë.

Shtyhet seanca në rastin e policëve të akuzuar për korrupsion

Gjykata Themelore e Mitrovicës ka shtyrë për afat të pacaktuar seancën e shqyrtimit fillestar në rastin e 35 policëve të akuzuar për korrupsion.

Kjo gjykatë ka konstatuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për t`u mbajtur kjo seancë për shkak se në të ka munguar i pandehuri Manojlo Laskoviq me arsyetimin se është i sëmurë.

Katër avokatët e të akuzuarve ishin kundër këtij propozimi, kurse të tjerët pro.

Kjo seancë do të mbahet kur  gjykata të sigurohet se i pandehuri në fjalë mund të paraqitet në gjykatë gjithmonë brenda afateve ligjore.

Po ashtu, gjykatësi i rastit ka propozuar që të pandehurit e njësisë së Trafikut Rajonal në veri të Mitrovicës të gjykohen veçmas nga të pandehurit e njësisë së  trafikut të veriut, për shkak të efikasitetit dhe ekonomizimit të procedurës.

Edhe Prokurorja Zejnije Kela është pajtuar me kërkesën e gjykatësit, meqë sipas saj Inspektorati i Policisë së Kosovës bashkë me prokurorinë kanë zhvilluar hetime të ndara për veriun dhe jugun.

15 nga 35 policët që u paraqitën sot para kësaj gjykate janë nga jugu i Mitrovicës, kurse 20 të tjerët nga veriu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat