Kërkesa e përfaqësuesve të Bashkësisë Islame në Mitrovicë, si dhe e disa individëve, drejtuar organeve gjegjëse të veriut për faljen e namazit të xhumasë sot tek vendi ku para luftës ekzistonte xhamia e Ibrit në Mitrovicë, përkatësisht pranë cepit verior të urës kryesore mbi Ibër, nuk është aprovuar.
Kjo për shkak se akoma nuk janë krijuar rrethanat e duhura të sigurisë.
Lajmin e ka konfirmuar për Kp, kryetari i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, Burim Veliu. Sipas tij, pas bisedimeve të një grupi të xhematlinjëve, e pastaj edhe të përfaqësuesve të BI-së me organet gjegjëse të policisë së veriut, nuk është arritur një marrëveshje e tillë.
“Kemi kërkuar nga policia, nuk na është mundësuar dhe nuk kemi me fal namazin e xhumasë sot në atë vend. Shpresoj se një gjë e tillë do të realizohet herave tjera”, ka thënë shkurt Veliu.
Ai shtoi se rreth kësaj çështje ka biseduar edhe me kryetarin e jugut të Mitrovicës, Agim Bahtiri, për të kërkuar mbështetjen e tij në këtë drejtim.
Në anën tjetër, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka bërë të ditur se një kërkesë e tillë për faljen e xhumasë ka ardhur nga një grup individësh, përkatësisht tre persona.
“Pas vlerësimit të situatës së përgjithshme dhe asaj të sigurisë, është marrë vendim që të refuzohet për sot kërkesa e këtyre personave”, theksoi Hoti, duke shtuar se pret që në të ardhmen kërkesat e tilla të vinë në formën zyrtare nga organet përgjegjëse.