Motrat paditin motrat për pronën e babait të ndjerë - Bota Sot
Motrat paditin motrat për pronën e babait të ndjerë

Mitrovica

E enjte, 18 tetor 2018

Motrat paditin motrat për pronën e babait të ndjerë

Më: 1 qershor 2018 Në ora: 00:14
Mitrovica

Në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar gjykimi në rastin e kontestit për vërtetimin e pronësisë në bazë të trashëgimisë.

Paditëset Musafere Ibishi dhe Hydavere Abdullahu i kanë paditur motrat Naxhije Pinduk dhe Nedime Veseli për pronën e trashëguar nga babai i tyre.

Paditëset dhe të paditurat janë në mes veti motra dhe të bijat e tani të ndjerit Rexhep Broja.

Sipas padisë, pas vdekjes së Rexhep Brojes trashëgiminë e kanë bartur në emër të vetin bashkëshortja – tani e ndjera Mihrije Broja 1/2 dhe i biri, tani i ndjeri Ismet Broja 1/2.

Pas vdekjes se Mihrijes sipas evidencës kadastrale nga Komuna e Mitrovicës është vërtetuar se bartja e pronës në emër të të paditurave Naxhije Pinku dhe Nedime Veseli ishte bëre në vitin 2012.

Gjithnjë sipas padisë nga certifikatat e gjetura në të, me rastin e shqyrtimit të trashëgimisë nga tani e ndjera Mihrije Broja, të paditurat fare nuk i kanë njoftuar paditëset për bartjen e trashëgimisë në emrin e tyre dhe fshehurazi pas shqyrtimit e kanë regjistruar në emër të vetin në Drejtoratin Kadastral në Komunën e Mitrovicës.

Për këtë regjistrim paditëset Muzafere Ibishi dhe Hydavere Adbullahu kishin kuptuar vetëm në fillim të muajit shkurt 2018.

Derisa ishte gjallë babai i palëve ndërgjyqëse, tani i ndjeri Rexhep Broja me gojë kishte lënë testament duke precizuar se nga tërë pasuria e patundshme 1/2 i takonte birit të tij, Ismet Broja, tashme i ndjerë, ndërsa nga ajo pasuri po ashtu 1/2 u kishte takuar bashkërisht të katër vajzave (dy paditëseve dhe dy të paditurave) në përpjesëtim të barabartë.

Sipas padisë paditëset kanë kuptuar se të paditurat kanë vendosur që pasurinë kontestuese nga kjo padi do ta japin për ndërtim banesor, andaj edhe i kanë propozuar gjykatës që të nxjerr aktvendim me të cilin do të urdhërohej masa e përkohshme e tjetërsimit të pronës nga të paditurat në çfarëdo mënyre, pasi që paditëset konsiderojnë se në mënyrë të kundërligjshme janë privuar nga e drejta e trashëgimisë.

Me aktgjykimin e datës 28 shkurt 2018 Gjykata Themelore e Mitrovicës kishte aprovuar padinë dhe kërkesëpadinë e paditëseve duke anuluar aktin e kundërligjshëm, ku të paditurat kishin regjistruar prona ne Drejtoratin Kadastral në Komunën e Mitrovicës.

Kurse në seancën e sotme pas leximit të padisë – propozim për caktimin e masës së përkohshme e kanë dhënë fjalën përfundimtare  përfaqësuesi i paditëseve, avokati Zeqir Maxhuni, si dhe përfaqësuesi i të paditurave Ethem Rogova.

Avokati Zeqir Maxhuni  deklaroi se mbetej në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë së ushtruar lidhur me masën e sigurisë duke theksuar se është e pakontestueshme se paditëset janë të bijat e të ndjerit Rexhep Broja, duke i propozuar Gjykatës që të aprovojë propozimin për dhënien e masës dhe që e njëjta t’i përcillet zyrës së noterëve dhe shërbimit kadastral të Komunës me vendim të veçantë deri në vendosjen e kësaj çështjeje në procedurë kontestimore.

Tutje Maxhuni deklaroi se pas administrimit të provave do të vërtetohej se paditëset janë të bijat e Rexhep Brojes, po ashtu se te njëjta nuk janë ftuar para Gjykatës me rastin e shqyrtimit të trashëgimisë dhe atë të masës trashëgimore.

Kurse lidhur me kontratën mbi mbajtjen e përjetshme avokati deklaroi se ajo kishte te bënte vetëm me të bijat e Mihrijes edhe jo me cungimin e të drejtës trashëgimore te paditëseve

Kurse i autorizuari i të paditurave lidhur me propozimin për caktimin e masës së përkohshme deklaroi se pasi që fjala ishte për trashëgimi që i takonte Mihrije Brojes dhe se të njëjtën paditëset e kanë njerkë, të njëjtat nuk mund të shpallen si trashëgimtare.

Gjithashtu përfaqësuesi i palëve të paditura Ethem Rogova shtoi se në rastin e shqyrtimit të trashëgimisë së tani të ndjerës Mihrije Brojes, paditëset nuk kanë qenë të ftuara pasi që sipas tij ato nuk kanë qenë trashëgimtare të saj dhe nuk mund të marrin pjesë. “Dhe krejt në fund, edhe po që se paditëset kishin me pasë ndonjë të drejtë kjo e drejtë për t’u shpallur trashëgimtare ka marrë fund “, tha Rogova.

Kurse gjyqtari Ragip Kadriu në fund të seancës njoftoi palët se për vendimin që do të marrë Gjykata lidhur me këtë çështje do të njoftohen me kohë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test