Hivzi Krasniqi u kujtua edhe nga Shoqata e Gazetarëve të Pejës

Peja

Hivzi Krasniqi u kujtua edhe nga Shoqata e Gazetarëve të Pejës

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 18:54
Hivzi Krasniqi

Në teatrin profesionist ‘Istref Begolli’ në Pejë, u kujtua sot jeta, vepra, puna dhe krijimtaria e Hivzi Krasniqit, doajenit të gazetarisë, autorit të mëse një mijë teksteve këngësh hit dhe zërit më të mirë të radiofonisë kosovare e shqiptare.

Organizuar nga ‘Shoqata e gazetarëve të Pejës’, në mbledhjen komemorative u shfaq një dokumentar i shkurtër mbi veprimtarinë e të ndjerit Krasniqi, ndërsa që fjalën hyrëse e paraqiti Halil Gashi – kryetar i Shoqatës së gazetarëve të Pejës dhe përfaqësues i  Radio Pejës.

“Shkova në Prishtinë për të studiuar, nisa edhe të punoja , ngula këmbë e mbeta atje kujtonte jo rrallë Hivziu  kur takoheshim jo rrallë në Prishtinë. Ai kujtonte   vitin  e largët 1973, kur kishte nisur studimet në Prishtinë dhe më pas kishte nisur zyrtarisht edhe punën në Radio Prishtinën II të atëhershme. Paraprakisht, kishte bashkëpunuar me redaktorë të Radio Prishtinës – Programi i parë dhe kur kishte startuar Programi i dytë, bashkëpunëtorët ishin kujtuar për të dhe e kishin ftuar. "Saktësisht, kjo ka ndodhur më 27 shkurt të vitit 1974, kur kishte nisur Programi i Dytë i Radio Prishtinës", kujtonte Hivziu  edhe kur vinte ne Pejë dhe fliste me nostalgji  për largimin e tij nga qyteti i ëndrrave të tija  Peja, nga vendlindja e tij e cila i shërbente përherë si frymëzim edhe për krijimtarinë e tij artistike, ngase e dimë se ai është autor i afro 1300 këngëve si tekst shkrues i jashtëzakonshëm që ishte. Kohëve të fundit sa herë që kishim rastin te takoheshim,  Hivziu fliste me dashuri për vitet e kaluara në Radio, duke punuar së pari në Programin e Mëngjesit dhe Programin e Natës të Radio Prishtinës II dhe pastaj edhe në Programin e Parë dhe duke qenë edhe përgjegjës kryesor për programin argëtues e humoristik të Radio Prishtinës II. Por, Hivziu nuk ishte vetëm njeri i radios, sepse një vit pasi kishte filluar të punonte në Radio, ai ishte angazhuar edhe në Televizionin e Prishtinës (së pari me emisionin "Mirë qofshi"), por që, gjithsesi, zemra i mbetet te radioja. Aty, ku në fillimet e para, në vitet kur Radio Televizioni i Prishtinës po merrte zhvillimin e tij, ai punonte në ekip me kolegë, të cilët i vlerësonte shumë për punën e tyre, si Refik Serça, Antigona Qena, Dhurata Kaba, Hys Shkreli, Feim Kurhasani  Zyhdi Belegu dhe të tjerët, ishte kjo plejada e artë pejane që kishte vërshuar&nb sp; mediat kosovare,”-tha Gashi.

Fjalë rasti në emër të institucioneve komunale të Pejës, mbajti kryesuesi i Kuvendit komunal Islam Husaj.

“Më 15 shkurt morën lajmin e rëndë. U nda nga ne Hivzi Krasniqi, njeriu i letrave, i radios, i  medias, i Pejës dhe i tërë Kosovës. Familje Krasniqi të jeni të fortë për humbjen e madhe sepse dhimbjen po e ndajmë bashkë. Ne do ti jemi mirënjohës veprës së Hivziut,” tha mes tjerash Husaj.

Për jetën dhe kontributin e Hivziut në media, foli gazetarja veterane dhe bashkëpunëtorja e të ndjerit që nga ditët e para, Dhurata Kaba- Mustafa.

“Ai ishte legjendë e gazetarisë dhe mbeti i tillë. Na fali shumë dashuri e njerëzi. Do ta kujtojmë çdoherë ashtu siç ishte, i mirë e i dashur. U pensionua para pak muajsh nga RTK-ja, gjegjësisht Radio Kosova, dhe në ditën e fundit të punës nuk pranoi të takohej me ne kolegët. U takua me sy. Nuk u përmbajt, sikur iu sill në kokë e mendje puna ndër dekada në atë studio që nga dita e parë. Herën e fundit më foli për punën e re që do ta niste dhe më tha, ty do të marrë me vete, nuk do të lejoj të pensionohesh”, tha Kaba –Mustafa.

Në emër të ‘Radio 1’ dhe të Shoqërive kulturore-artistike të qytetit të Pejës, për rolin dhe kontributin e Hivzi Kraniqit, foli Fitim Behluli, bashkëpunëtorë i të ndjerit nga gjenerata e re në media.

“Për me fol për Hivziun, duhet me e njoh Hivziun. Edhe pse jam më i ri, Hivziun, nuk ka qenë problem me e njoh. Ai me afërsinë dhe njerëzinë e tij, çdokujt ja ka dhënë këtë mundësi. Dikush ia ka keqpërdorë, të tjerët ia kanë çmuar. Kisha fatin kohëve të fundit të kontaktojmë shpesh për konsultat e ‘Radios 1’ që do ja nisnim. Do ti ndaj dy kujtime të fundit me të dhe për të. I pari, më 7 maj të vitit të shkuar Nexhmije Pagarusha po mbushte 85 vjet. E marrë në intervistë Nexhën për programin tim të natës ‘Top Folk’, ato ditë Nexha ishte nderuar nga presidenti Trump me Mirënjohje. E pyes tezja Nexhmije, na fol si e pranove këtë mirënjohe  që të erdhi nga presidenti Trump? Më thotë: Ka diçka edhe më të madhe se kjo, që e kam përjetuar këto ditë! Çfarë i them? Më ka ardhur një tekst që ma ka shkruar Hivziu për jetën time, e që nëse kam jetë do ta bëjë këngë me këtë zë që më ka mbet. Nuk tà « gjitha vargjet më thotë, por ja mu kujtua një rresht. “Edhe nëse shkoj nga kjo Botë, po shkojë me gëzim e jo me lot,”-më tha Nexha. Dhe rasti I dytë është edhe teksti I fundit që Hivziu e shkroi dy net para se të ikte dhe kisha privilegjin të ma dërgonte me dorëshkrim në telefonin tim. Teksti I kushtohet Sofrës pejane, çfarë edhe e la porosi që ta bëjmë këngë për sofrën. Të njëjtin që po e ndaj me ju miq, ja kishte dërguar vet edhe kompozitores tonë të çmuar Pranvera Badivukut. Dhe ne do ta bëjmë këngë padyshim me shëndet të jemi. E përmendi zonja Kaba- Mustafa pensionimin e Hivziut nga Radio Kosova, e dëgjova me vëmendje. E kam thënë edhe në varreza atë ditë, Hivzi na fal që nuk ta kemi ditur vlerën, të tillë jemi ndonjëherë ne si shoqëri. Artisti, krijuesi, gazetari, nuk del në pension, nuk bënë të mbetet në rrugë, sepse mund ta quajnë edhe rrugaç. Andaj urojë për ditë më të mira për këtë vend,”tha Behluli.

Në emër të familjes Krasniqi të pranishmit dhe organizatorin e falënderoi vëllai i të ndjerit Hivzi, Nazmi Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat