Vdekja e 85-vjeçarit në Shkodër, reagon Ministria e Shëndetësisë: Ishte i infekuar, por nuk e humbi jetën prej COVID-19

Shkodra

Vdekja e 85-vjeçarit në Shkodër, reagon Ministria e Shëndetësisë: Ishte i infekuar, por nuk e humbi jetën prej COVID-19

Më: 10 prill 2020 Në ora: 21:58
Foto ilustrim

Përmes një njoftimi, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka sqaruar se i moshuari 85-vjeçar, i cili ka ndërruar jetë në banesën e tij në Shkodër, nuk ka humbur jetën si pasojë e COVID-19, ndryshe nga çfarë u raportua në media paraditen e sotme.

Në deklaratë thuhet:

“Lidhur me lajmin e publikuar në media për vdekjen e një pacienti me COVID19 në Shkodër, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se:

I moshuari 85-vjeçar, me inicialet E.L., i cili ka ndërruar jetë në banesën e tij në Shkodër, nuk ka humbur jetën si pasojë e COVID19.

I moshuari, i cili prej dy muajsh qëndronte i palëvizur për shkak të një frakture koksofemorale dhe vuante nga diabeti mellitus, sëmundje kardiake dhe hipertension, ka ndërruar jetë si pasojë e infarktit të miokardit ditën e sotme.

85-vjeçari ka qenë bartës i COVID19, i konfirmuar gjatë hetimit epidemiologjik të kryer tek të gjithë anëtarët e familjes së tij në Shkodër, por ka qenë asimptomatik gjatë gjithë kohës, pra pa shenja të sëmundjes. 85-vjeçari ndiqej nga mjeku i familjes, i cili ka konfirmuar se shkaku i vdekjes është infarkti i miokardit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe siguron opinionin publik se do të informojë për situatën, sikundër ka bërë deri tani. Sqarojmë edhe një herë se 85-vjeçari, nuk është viktimë e COVID19 në Shqipëri.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat