Shkodër, të rinjtë dhurojnë gjak për fëmijët talasemikë

Shkodra

Shkodër, të rinjtë dhurojnë gjak për fëmijët talasemikë

Më: 20 nëntor 2021 Në ora: 20:35
Shkodër

Studentë dhe vullnetarë të Kryqit të Kuq po dhurojnë gjak në Shkodër, për fëmijët talasemikë.

Në Shqipëri regjistrohen rreth 600 fëmijë talasemikë, të cilët kanë nevoja të vazhdueshme për gjak. Qendra Kombëtare e Trasfuzionit të Gjakut arrin të mbledh në një vit rreth 17 deri në 18 mijë dhurime, por, sipas mjekëve të kësaj qendra, nevojat janë më të mëdha.

Studentë të fakultetit ekonomik në Universitetin e Shkodrës, së bashku me të rinj të tjerë, vullnetarë të Kryqit të Kuq Shqiptar, po marrin pjesë në një seancë dhurimi të gjakut, në ndihmë të fëmijëve talasemikë. Nuk është kjo hera e parë që ata dhurojne gjak, i cili, sipas mjekes së Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Mirela Spahiut, është i domosdoshëm për shpëtimin e jetës së fëmijëve të prekur nga talasemija.

“Kemi shumë fëmijë talasemikë, kemi rreth 600 fëmijë talesemikë në Shqipëri, që kanë nevojë për gjak. Ata mund të marrin gjak një herë në shtatë ditë, një herë në dhjetë ditë dhe përfytytoni çfarë sasie të madhe duan ata. Prandaj, gjithë ky gjak që japin këta student, këta dhurues vullnetarë, shkon për fëmijët talasemikë”.

Vetë të rinjtë shprehen se ndjehen të qetë pas çdo seance të dhurimit vullnetar të gjakut, ndërkohë që ftojnë të rinjë të tjerë t’u bashkohen në nismën e tyre.

Si në të gjithë sektorët e tjerë të shëndetësisë, edhe në atë të dhurimit vullnetar të gjakut, periudha e pandemisë, që vazhdon prej dy vitesh, ka sjellë vështirësi në dhurimin vullnetarë të gjakut, thotë koordinatorja lokale e Kryqit të Kuq për dhurimin vullnetar të gjakut, Vera Gjinaj.

“Gjatë pandemisë plotësimi i nevojave për gjak ka qenë edhe më i vështirë. Në kushte normale, Shqipëria e ka shumë të vështirë të plotësojë nevojat e këtyre pacientëve. Gjatë këtij viti janë rreth 300 njësi gjaku që janë dhuruar dhe shpresojmë që ky numër të rritet në ditët në vazhdim”.

Ajo thotë se numri i personave që janë ofruar për të dhuruar gjak është më i madh, por një pjesë e tyre nuk plotësojnë kushtet dhe, normalisht, përjashtohen nga dhurimi i gjakut.

Numrit të fëmijëve talasemikë, që kanë nevoja të vazhdueshme për gjak, i shtohen edhe aksidentet rrugore në rritje si dhe ndërhyrjet e domosdoshme kirurgjike, që sipas mjekes Spahiu, e rrit nevojën për dhurime vullnetare të gjakut.

“Ne mbledhim zakonisht 17-18 mijë dhurime në vit. Nevojat janë shtuar sepse janë shtuar sëmundjet kronike, aksidentet, dhe sëmundjet e hematologjisë. Nevoja për gjak ka dhe ne duam ta kthejmë në traditë, se nuk e kemi atë kulturë që të kemi 100% dhurim vullnetar të gjakut. Dhe, ne për këtë po mundohemi që, në një të ardhme të shpejtë, të gjithë njerëzit të kalojnë në dhurues vullnetarë gjaku”.

Mjekja Mirela Spahiu thotë se, Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut bazohet në dhurimin vullnetar dhe atë familjar, por sipas saj, synimi i qendrës është që edhe dhuruesit familjarë të kthehen në dhurues vullnetarë të gjakut./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat