Banorët e Shkodrës kërkojnë dëmshpërblimin për përmbytjet - Bota Sot
Banorët e Shkodrës kërkojnë dëmshpërblimin për përmbytjet

Shkodra

Banorët e Shkodrës kërkojnë dëmshpërblimin për përmbytjet

Më: 26 shkurt 2017 Në ora: 10:10
Banorët e Shkodrës

Banorët e zonës së Livadeve vazhdojnë protestat në kërkim të dëmshpërblimeve për përmbytjet e viteve 2010-2011. Pal Mëhilli një nga 8 pjesëmarrësit e grevës së zhvilluar para pak javësh përballe bashkisë Shkodër thotë se iu dhanë të tjera premtime për marrjen e dëmshpërblimeve, të cilat vazhdojnë të mos mbahen.

“Protesta jonë është ekonomike dhe nuk ka lidhje me politikën. Ne bëmë një grevë dhe nuk u lejuam as të kemi banjo as të ngriheshim në këmbë pasi policia ndërhynte dhe nuk na lejonte aty ku ishim në lulishte. Nuk na lejuan as ambient as çadër, ndërsa protestës politike në Tiranë i krijohen kushte. Kjo nuk është e drejtë. Politika është fajtore dhe ajo bën si të dojë me këtë vend e me këtë popull. Ne jemi të vendosur në kërkesat tona dhe në të kundërt do të bojkotojmë zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.

Ndërsa Vera Ndreu shton se “askush më  shumë se ne gratë nuk ka përjetuar keq përmbytjet, me fëmijë në krah duke bredhur nëpër konvikte e spitale ku ilaçet duhet ti blinim se nuk kishte. Nuk kemi frikë askënd pasi po kërkojmë një të drejtë që na takon, lekët e dëmit që na është bërë. Do dalim çdo ditë në protestë, nuk tërhiqemi”.

Ata kërcënojnë me bojkotimin e zgjedhjeve në qoftë se nuk plotësohen kërkesat e tyre në lidhje me dëmshpërblimet. Sandër Nika, banor i Livadheve thotë se jo vetëm do të bojkotojnë por do bëjnë gjithçka që kutitë e votimit të mos hyjnë fare në zonat e përmbytura dikur pasi ka ardhur momenti që durimi ka marrë fund. Kërkojmë vetëm paratë tona, asgjë më shumë, nuk kemi punë me politikën. Kemi pasur ujin deri në çati”, thotë ai.

Një tjetër banor i përmbytur Zef Pjovi shprehet se ne duhet të trajtohemi si çdo banor i këtij vendi, sipas ligjit të digave pasi ato na përmbytën. Kemi parë tmerr me fëmijë në krah, me ujin deri 1.5 metër në banesa”. Përmbytjet e 6 viteve me parë shkaktuan dëme të shumta në këto zona, ndërsa qeveria asokohe u akordoi vetëm 49 për qind të shumave që u takojnë nga vlerësimet e komisioneve të ngritura për vlerësimin e dëmeve. Megjithëse disa herë është folur për kompensimin e plotë të tyre, faktikisht ende nuk i është dhënë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat