Krerët e Bujanocit vizitojnë Shkodrën

Shkodra

Krerët e Bujanocit vizitojnë Shkodrën

Nga: Sevdail Hyseni Më: 8 prill 2017 Në ora: 08:19
Vizita e krerëve të Bujanocit në Qarkun e Shkodrës

Krerët institucionalë të Komunës së Bujanocit, të prirë nga kryetari Shaip Kamberi, deputeti popullor Fatmir Hasani dhe shef i zyrës për zhvillim ekonomik lokal, Enis Salihu, kanë qëndruar për një vizitë zyrtare në Qarkun e Shkodrës.

Qëllimi i kësaj vizite, ishte njohja për së afërmi me veprimtarinë e Fabrikës më të madhe të duhanit në Ballkan, në vendin e quajtur Guri i Zi, në Shkodër, veriu i Shqipërisë, me një teknologji bashkëkohore për grumbullimin, përpunimin dhe paketimin e duhanit.

Kjo fabrikë e teknologjisë së fundit gjermane e vendosur në një zonë, që njihet për kultivimin e duhanit, me një kapacitet prej 1.000 kilogram duhan përpunimi në orë, është një shembull i mirë për rajonin e Kosovës Lindore, e posaçërisht të Tërnocit, zona këto të njohura tradicionalisht për kultivimin e duhanit.

Në këtë drejtim, përfaqësuesit institucionalë të Bujanocit, janë në rrugë të mbarë të kërkimit të një zgjidhjeje të volitshme për prodhuesit e duhanit, jo vetëm në këtë komunë, por edhe më gjerë në shkallë rajoni.

Prandaj, esenca e këtij takimi me drejtuesit e kësaj Fabrike prestigjioze nga Shkodra, ishte krijimi i mundësive të reja të një bashkëpunimi në mes të prodhuesve lokalë të duhanit nga Bujanoci me ata të shtetit amë.

Palët biseduese, të këtij takimi të parë, ranë dakord, që në të ardhmen bashkëpunimi të intensifikohet, në mënyrë që të shkëmbehen përvojat e kultivimit të kësaj bime, mjaft të kërkuar në tregun evropianë.

Vlen të ceket se ish Kombinati i Duhanit në Bujanoc, dikur ka qenë një sinonim i keq për prodhuesit e kësaj komune, e veçmas të tërnocasve, të cilët pak shpërbleheshin për punën që bënin. Ata, thjesht, me zejen e duhanit zhvillonin biznesin familjar dhe mbanin familjet e tyre, pa varur interesin për punësim në fabrikat e dikurshme shtetërore.

Prodhimi i duhanit fletë-imtë e aromatik në fushat e pëlleshme të Tërnocit, për një kohë të gjatë, ka qenë më i kërkuari në tregjet brenda dhe jashtë shtetit. Por, blerja e kësaj bime me çmime jo të favorshme për prodhuesit tërnocasë nga Kombinati i duhanit dhe rrugët plot sakrifica të plasimit të tij në tregjet tjera, të cilat shpesh gjobiteshin e sanksionoheshin me ligj, kanë bërë që shumë familje të heqin dorë nga ky biznes, duke gjetur shpëtim ekonomik në perëndim.

Prandaj, vizita e përfaqësuesve të Komunës së Bujanocit, në Shkodër, është një rrugëtim i mbarë dhe një shpresë me perspektivë për prodhuesit e duhanit në këtë rajon, të goditur nga skamja, papunësia ekstreme dhe moszhvillimi ekonomik shekullor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat