Priten reshje intensive në dy ditët e ardhshme, Shkodra ende nën ujë

Shqipëria

Priten reshje intensive në dy ditët e ardhshme, Shkodra ende nën ujë

Më: 24 janar 2021 Në ora: 13:43
Shkodra ende nën ujë

Reshjet e shiut ndonëse jo intensive kanë shtuar sipërfaqen e tokës nën ujë në qarkun e Shkodrës. Sipas bashkisë së qytetit verior ka rritje të nivelit të ujit të Liqenit të Shkodrës dhe Drinit.

Po sipas bashkisë, në Obot, niveli i ujit mbi rrugë arrin rreth 35 cm, duke e bërë të pa kalueshme për mjete te ulëta. Sipërfaqja e përmbytur është 748 hektarë.

Nga reshjet intensive të 10 ditëve më parë, mijëra hektarë tokë në Shkodër u përmbytën ku zonat më problematike ishin ato të Obotit dhe Dajçit, ndërkohë që përmbytje pati edhe në disa qarqe të tjera të vendit.

Shërbimi Meteorologjik parashikon reshje intensive shiu gjatë dy ditëve të ardhshme në të gjithë territorin e vendit. Për këtë arsye, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka paralajmëruar bashkitë dhe prefekturat të marrin masa.

Intensiteti i reshjeve pritet të jetë tejet i lartë në zona të caktuara, si qarqet veriore Shkodër, Kukës, Dibër, pa përjashtuar edhe qarqet e tjera.

Ndërkohë një ditë më parë si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike, në Vlorë u pezullua lundrimi i mjeteve të vogla të peshkimit, të cilat janë ankoruar ne portin e Tri-Portit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat