“ODIHR vërtetoi masakrën elektorale”/ Basha, këmbëngulës për të vijuar betejën kundër Ramës

Shqipëria

“ODIHR vërtetoi masakrën elektorale”/ Basha, këmbëngulës për të vijuar betejën kundër Ramës

Më: 27 korrik 2021 Në ora: 15:22
Lulzim Basha

Lideri i opozitës, Lulzim Basha doli para medias për të komentuar raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare, duke theksuar se gjetjet e vëzhguesve sipas tij mbështetën tezen e opozitës se 25 prilli ishte masakër elektorale.

“Ky raport për fat të keq është vula e turpit mbi vjedhjen më të madhe të kryer në historinë e pluralizmit.”

Për 60 minuta, Basha ka cituar gjetjet e ODIHR që flasin për parregullsi në zgjedhje duke nisur nga blerja e votës te patronazhistët.

“Shkrirja në një e partisë në pushtet dhe e shtetit. E kemi thënë ne, e thotë edhe raporti. Keqpërdorimi i aseteve publike në avantazh të partisë në pushtet, abuzimi me pushtetin dhe funksionet publike, e kemi thënë ne, e thotë dhe raporti. Përdorimi i fondeve të rindërtimit për të ndikuar në mënyrë të paligjshme votën.”

Duke pasur si një argument të shtuar raportin e ODIHR, Basha ka përsëritur se opozita nuk do ta njohë 25 prillin.

“Ne prej ditës së parë dhe sot kemi një dhe vetëm një qëndrim ndaj kësaj masakre zgjedhore të çdo standardi zgjedhor dhe pasojat që kjo sjell për shqiptarët, ndaj kësaj lufte që i është shpallur shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe aspiratës së tyre të drejtë dhe legjitime për ndryshim, ne do të kemi vetëm betejë.”

Kjo betejë e opozitës do të ketë edhe dimensionin parlamentar dhe Basha e ka bërë të qartë se PD do të kërkojë një reformë të re zgjedhore në shtator.

“Këtu përfshihet edhe detyrimi i të gjithë palëve për t’i dhënë shqiptarëve një infrastrukturë  ligjore, pra një Kod Zgjedhor, i cili të garantojë fshehtësinë e votës dhe votën e lire.”

Kjo ishte konferenca e pare e kreut të PD, Lulzim Basha pas humbjes së zgjedhjeve; por ai preferoi t’iu shmangej pyetjeve që nuk lidheshin me procesin e 25 prillit, duke iu shmangur edhe pyetjeve në lidhje me Sali Berishën; nëse ish-kryetari i PD e humbet mandatin për shkak të dekriminalizimit.

“Beteja jonë për dekriminalizimin do të vazhdojë me gjithë fuqinë. Nuk kam për të komentuar asnjë çështje që del jashtë këtij raporti dhe do të mbetem i hapur për çdo koment tjetër në çdo takim tjetër sepse besoj me të drejtë, mendoj unë, ky është mendimi im që çdo reflektim nga raporti, çdo shmangej nga vëmendja publike e raportit nuk i shërben interesit publik.”

Prej muajit maj kur Sali Berisha u shpall “non grata” nga Sekretari Amerikan i Shtetit, kryetari i PD, Basha ka shmangur çdo koment në lidhje me vendimin  e SHBA, e të ardhmen e Berishës ne PD.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat