Diell, shi e borë/ Edhe sa do të na shoqërojnë kushtet e paqëndrueshme të motit?

Shqipëria

Diell, shi e borë/ Edhe sa do të na shoqërojnë kushtet e paqëndrueshme të motit?

Më: 17 prill 2022 Në ora: 19:33
Ilustrim

Muaji prill ka nisur me reshje shiu dhe duket se kështu do të vazhdojë. Edhe java që vjen parashikohet të jetë me mot të paqëndrueshëm, edhe pse nuk do të mungojnë as ditët me diell.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, dita e hënë do të ketë mot me alternime kthjellimesh e vranësirash deri të dendura. Reshjet e shiut me intensitet të ulët do të jenë të pranishme kryesisht në relievet kodrinore-malore dhe në zonën e jugperëndimit.

Për ditën e martë moti parashikohet kryesisht me diell (kthjellime), si dhe alternime vranësirash hera-herës deri të dendura në mesditë. Në pjesën e parë të ditës parashikohen reshje shiu të dobëta e shtrëngata lokale në zonën e qendrës dhe jug.

E mërkura parashikohet me mot të vranët e reshje shiu me intensitet të ulët dhe kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave. Në zonën e veriut, në pjesën e parë të ditës, reshjet do të kenë intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive. Në zonën e Alpeve dhe verilindje parashikohen reshje dëbore me intensitet të ulët dhe mesatar.

Dita e enjte parashikohet me mot kryesisht të kthjellët e vranësira kalimtare.

Java mbyllet me ditën e premte që nis fillimisht me mot të kthjellët e prej orëve të mesditës vijon me shtim vranësirash. Të premten parashikohen gjithashtu reshje shiu të dobëta e shtrëngata afatshkurtra në një pjesë të madhe të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat