Fëmijët u helmuan në kopësht, prindërit paralajmërojnë protestë në Gramsh

Shqipëria

Fëmijët u helmuan në kopësht, prindërit paralajmërojnë protestë në Gramsh

Më: 24 maj 2025 Në ora: 23:13
Ilustrim

Prindërit e fëmijëve të cilët u helmuan në kopështin shtetëror në Gramsh paralajmërojnë se do të protestojnë për rastin në fjalë. Dyshohet se fëmijët u helmuan nga ushqimi i kontaminuar me salmonelë ndërsa hetimet vijojnë nga autoritetet.

“Fëmija im ishte me temperaturë 39 dhe nuk pushonte së vjelluri. E çuam në urgjencë dhe vetëm atëherë mësuam se kishte edhe të tjerë në të njëjtën gjendje. Kopshti nuk na njoftoi për asgjë. As nuk e dinim se mund të ishte helmim.”-thotë një prind që kërkon të mbetet anonim.

Drejtoresha e Spitalit të Gramshit, pohoi më herët se fëmijët janë paraqitur në spital me të vjella dhe se ushqimi ishte me salmonelë, çka shkaktoi shumë simptoma të rënda tek fëmijët e kopështit.

Kopshti ka një kontratë me një operator privat për përgatitjen dhe shpërndarjen e ushqimit. Ky subjekt dyshohet se ka rezultuar më parë me shkelje të rregullave higjeno-sanitare gjatë një inspektimi të AKU-së në vitin 2023, por ka vijuar të operojë normalisht.

Në kuzhinën e kopshtit nuk kishte frigoriferë funksionalë për ruajtjen e produkteve të ndjeshme, si mishi dhe qumështi, një fakt i konstatuar edhe nga specialistë të AKU-së që kanë ndërhyrë pas rastit. Drejtuesit e institucionit arsimor nuk kanë pranuar të japin komente, ndërsa një njoftim i shkurtër u publikua nga Bashkia e Gramshit, ku thuhej se “po bëhen verifikimet përkatëse dhe pritet përgjigja e analizave laboratorike”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat