Ish-ministri i Financave në qeverinë socialiste para vitit 2005, Arben Malaj ishte në News 24 për të folur për 34-vjetorin e themelimit të PS. Malaj shprehet se sot në PS, ka një grup të babëziturish që sundon.
“Të babëziturit në PS gjithmonë kanë shpresuar që unë të bëja gabimin moral që për shkak të qejf mbetjeve të bëja p[arti të re. Nuk e kam bërë kurrë, sepse mirënjohja ndaj partisë dhe socialistëve të thjeshtë është e përjetshme. Krijuam një grup brenda PS, në debatin filozofik me Ramën që PS të modernizohej para se të vinte në pushtet. Ndërsa Rama aplikoi metodën që të vinte në pushtet pastaj të modernizohej. Si është rezultat? Disa janë në burg.”
Malaj mendon se Rama është një lider autokrat, pasi të tillë e bën edhe mandati i gjatë në drejtimin e vendit dhe të partisë.
“Liderët politik me mandat të gjatë nuk janë liderë demokratik. Janë liderë që kanë rënë pre e mentalitetit pushtues ndaj popullit të tyre. Ka qenë Stalin, Hitleri, Orbani qeveris në mënyrë autokratike. Ka ndryshuar vetëm forma. Kam mbrojtur idenë që fajin nuk e ka populli, janë liderët se ata zgjidhen. Janë provuar të gjithë liderët në tranzicion. I vetmi rast kur populli duhej të ndihej fajtor ishte 2025 ku kishte parti të reja.”
Sa i përket luftës që hapi Rama kur mori drejtimin e PS-së kundër xhaketave të vjetra, ishte një luftë klasash e njëjtë me atë që bëri dhe Enver Hoxha dikur.
“Më mirë një xhaketë e vjetër e viteve 90, se sa një kostum firmato e lyrosur nga babëzia, ku gjysma janë në burg. Jo, jo. Koncepti i xhaketave të vjetra kishte të bënte me luftën e klasave. Siç e bënte Enveri. Ka ndryshuar forma e marketingut. Ku të gjejnë mundësi kompromentojnë mediat, figurat publike.”