Gjatë natës, territori i Qarkut Shkodër është përfshirë nga reshje shiu dhe erëra të forta, të cilat kanë shkaktuar problematika të lokalizuara.
Sipas raportimeve paraprake, në Bashkinë Shkodër, erërat e forta kanë shkaktuar rrëzimin e disa pemëve, për largimin e të cilave kanë ndërhyrë shërbimet nga strukturat e bashkisë.
Në Bashkinë e Malësisë së Madhe, nuk raportohen problematika të tjera, përveç ndërprerjeve të energjisë elektrike.
Në Bashkinë Vau i Dejës, reshjet intensive dhe erërat e forta janë shoqëruar me ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
Ndërkohë, situata më problematike paraqitet në Bashkinë Fushë-Arrëz, ku janë evidentuar dëmtime të çatisë së shkollës 9-vjeçare në Iballë dhe të disa banesave, si dhe dëmtime në rrugët rurale nga prurjet e ujërave, gurëve dhe dherave. Ndërprerje të energjisë elektrike raportohen pothuajse në të gjitha njësitë administrative. Aksi Fushë-Arrëz-Bardhet, i bllokuar përkohësisht gjatë natës nga rrëzimi i një peme, është zhbllokuar pas ndërhyrjes së shërbimeve bashkiake.
Në akset Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth janë evidentuar rënie gurësh dhe prurje inertesh, po vijohet me pastrimin e akseve. Në Qafë Thore janë regjistruar reshje shiu të përziera me dëborë, ndërsa aksi është i kalueshëm.
Sipas Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit, nivelet e ujit mbeten nën kuotat e rrezikut dhe nuk raportohen problematika në veprat ujore.
Ekipet e OSHEE-së dhe strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për riparimin e defekteve në linjat përkatëse.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër vijon monitorimin e situatës dhe bashkërendimin me bashkitë dhe institucionet përgjegjëse, me prioritet sigurinë e qytetarëve dhe ndërhyrjen në kohë në zonat e prekura.