TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Kufiri mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të funksionojë përmes një sistemi të ri të integruar kontrolli, me një ndalesë të vetme, duke përshpejtuar lëvizjen e qytetarëve dhe mjeteve të transportit mes dy vendeve.
Në ceremoninë e përurimit të sistemit “One Stop Shop” ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Kryeministri Rama tha se “sot jemi në një moment jashtëzakonisht pozitiv në marrëdhëniet tona sepse hedhim një hap konkret me këtë transformim që ka një rëndësi të jashtëzakonshme për miliona njerëz që kalojnë këtë kufij. Ne kemi një shprehje në shqip, nuk e di a e keni edhe ju në maqedonisht, “Beso dhe kontrollo”. Deri tani në këtë doganë ishim “kontrollo, kontrollo”. Tani jemi “beso, kontrollo” dhe hapi tjetër është “beso, beso” që të mos kemi më asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin tonë të përbashkët për t’u bërë pjesë e Europës, pa kontrolle në kufijtë mes nesh”.
“Dua ta përforcoj atë që tha më parë miku im Hristijan, kryeministri juaj, që jemi në një proces bashkëpunimi ku kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku dhe pa diskutim njëra ndër këto është që të punojmë për ta çuar përpara projektin madhor tanimë jo vetëm të rëndësishëm për ne, as vetëm të rëndësishëm për Bashkimin Europian, por të rëndësishëm edhe për NATO-n, Korridorin VIII”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “në mbyllje dua të t’i bashkohem kryeministrit Mickoski në falenderimin për të gjithë ata që punuan për këtë ditë dhe për të realizuar më në fund këtë transformim që siç thashë do t’i vlejë shumë njerëzve, miliona njerëzve që kalojnë në këtë doganë dhe njëkohësisht do të vazhdojmë edhe me pikat e tjera për të pasur të njëjtin sistem”.
Rama falënderoi gjithashtu të gjithë përfaqësuesit e ministrive të Brendshme edhe të Doganave që bashkëpunuan për këtë arritje.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha se “për mua është një nder i veçantë që sot këtu së bashku me mua është dhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë, miku im i dashur Edi Rama dhe në këtë eveniment të rëndësishëm dëshiroj t’u uroj bashkëqytetarëve tanë dhe shqiptarëve të gjithë kudo që janë këtë festë shumë të rëndësishme siç është 22 Nëntori, Festa e Alfabetit”.
“Është një kënaqësi e veçantë për ne që po fillojmë një bashkëpunim të tillë nëpërmjet vendosjes të një pike të vetme të kontrollit, One Stop Shop që do të mundësojë një transport më të lehtë dhe një ndërlidhje më të lehtë midis të dyja vendeve dhe po e përurojmë këtë pikë kufitare”, tha Mickoski.
Kryeministri Mickoski u shpreh se “do t’i përforcojmë edhe lidhjet dhe në të gjitha pikat e tjera të kufirit dhe siç është thënë edhe në hyrje, kjo është një vlerë e shtuar për të dyja vendet dhe kur mendoj për të dyja vendet, mendoj për bashkëpunim në fushën e turizmit përreth liqenit të Ohrit, për komunën e Ohrit dhe të Strugës, por dhe për komunat e tjera që gravitojnë përgjatë liqenit, por gjithashtu edhe për detin në Shqipëri”.
Sistemi “One Stop Shop” synon të shkurtojë kohën e pritjes dhe të lehtësojë qarkullimin e udhëtarëve dhe mallrave mes dy vendeve.