Ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen dy persona në Shkodër dhe Vorë

Shqipëria

Ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen dy persona në Shkodër dhe Vorë

Më: 22 nëntor 2026 Në ora: 20:41
Pamje nga vendi i ngjarjes

TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ Arrestohen dy persona në Shkodër dhe Vorë, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Policia e Shtetit ka finalizuar dy faza të tjera të operacionit të koduar “Fast”, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër dhe DVP Tiranë.

Gjatë fazës së parë u kap në Shkodër dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali shtetasi A. D. alias V. D., 45 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Policia bën me dije se ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Apelit e Romës, me 7 vjet e 11 muaj burgim, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, “Vjedhja me thyerje”, mbetur në tentativë, “Kundërshtimi i punonjësve që kryejnë detyrë publike” dhe “Dhuna ose kanosja ndaj punonjësit publik”.

Sipas Policisë, nga dënimi i kanë mbetur për të kryer 5 vjet, 4 muaj e 2 ditë burgim.

Ndërkohë, Policia informon se gjatë fazës së dytë u kap në Vorë dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali shtetasi B. K., 49 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Barit, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Torturë” dhe “Skllavëri”. Nga dënimi i kanë mbetur për të kryer 3 vjet, 11 muaj e 3 ditë burgim.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre dy shtetasve në Itali.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat