Më 26 nëntor 2026, Tirana do të rikthejë në vëmendje një prej momenteve të rëndësishme të historisë së saj kombëtare. Me rastin e 114-vjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar në Tiranë, më 26 nëntor 1912, Shoqata “Tirana – Nderi i Kombit” u ka bërë thirrje qytetarëve, familjeve autoktone tiranase dhe pasardhësve të patriotëve që të bëhen pjesë e ceremonisë përkujtimore. Aktiviteti synon të nderojë figurat që kontribuuan në këtë ngjarje historike dhe të përcjellë te brezat e rinj kujtesën, traditat dhe krenarinë për qytetin. Ceremonia do të zhvillohet në orën 09:30, pranë ish-Bibliotekës së Vjetër, përballë hyrjes së Parlamentit në Tiranë.
Njoftimi i plotë
Të dashur bashkëqytetarë, familje të vjetra tiranase, bij e bija të Tiranës sonë!
Më 26 Nëntor, Tirana jonë e dashur përkujton një nga ditët më të lavdishme të historisë së saj: 114-vjetorin e ngritjes së Flamurit Kombëtar dhe shpalljes së Pavarësisë nga patriotët dhe qytetarët e Tiranës, më 26 Nëntor 1912, dy ditë përpara Vlorës!
Atë ditë historike, populli i Tiranës, më në krye patriotë të shquar te saj Abdi Toptani, Refik Toptani, Muhamer Pazari, Ibrahim Agalliu, Ismail Ndroqi, Fuat Toptani, Abdullah Gjinali, Sheh Ahmet Pazari, Qazim Mulleti, Selim Petrela etj, e shumë burra të tjerë të nderuar të këtij qyteti, u bënë pjesë e aktit të madh të ngritjes së flamurit kuqezi dhe shpalljes së mëvetësisë së Tiranës.
Ata na lanë trashëgim jo vetëm një datë historike, por një amanet të shenjtë: dashurinë për atdheun, dinjitetin qytetar dhe krenarinë për rrënjët tona!
Sot është radha jonë ta nderojmë këtë histori!
U bëj një thirrje të përzemërt të gjitha familjeve autoktone tiranase, pasardhësve të atyre që ndërtuan, mbrojtën dhe i dhanë emër këtij qyteti, intelektualëve, të rinjve dhe të rejave, të bashkohemi në ceremoninë përkujtimore të kësaj dite të shënuar për Tiranën.
Ad
Le të vijmë së bashku, gjyshër, prindër, fëmijë e nipër, për t’u treguar brezave se rrënjët nuk harrohen, historia nuk zbehet dhe krenaria për vendlindjen trashëgohet!
Pjesëmarrja jonë është më shumë se një nderim ceremonial. Është shprehje e dashurisë për Tiranën, e respektit për të parët tanë dhe e përgjegjësisë për ta ruajtur të gjallë identitetin, traditat dhe kujtesën historike të qytetit tonë.
Më 26 Nëntor, le të jemi të gjithë bashkë, si një familje e madhe tiranase, nën flamurin kuqezi!
Sepse Tirana nuk është vetëm qyteti ku jetojmë. Është historia jonë, rrënja jonë, krenaria jonë!
🇦🇱 Lavdi patriotëve të Tiranës së vitit 1912!
Rroftë Tirana! Rroftë Shqipëria!
E enjte, 26 Nëntor 2026
Ora 09:30
Ish-Biblioteka e Vjetër, përballë hyrjes së Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Tiranë.