Komisionerja për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Marta Kos, do të zhvillojë ditën e nesërme një takim në Kuvendin e Shqipërisë, ku në fokus do të jetë procesi i negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, raporton Kosovapress.
Takimi organizohet nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian (KKIE), me pjesëmarrjen e bashkëkryetarëve të këtij këshilli, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku.
Sipas njoftimit të Kuvendit, pas fjalëve përshëndetëse të përfaqësuesve, takimi do të vijojë me diskutime nga përfaqësues të grupeve të interesit dhe komisioneve parlamentare, të cilët do të ndajnë qëndrimet e tyre mbi ecurinë dhe sfidat e procesit të negociatave.
Në vijim, diskutimeve do t’u bashkohen edhe përfaqësues të grupeve parlamentare dhe deputetë, të cilët do të kenë mundësinë të parashtrojnë pikëpamjet e tyre lidhur me negociatat me Bashkimin Evropian. Fjala përmbyllëse do t’i takojë Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos.