Memaj: Nesër pezullim i transportit publik deri në orën 08:00, kundër rritjes së TVSH-së

Shqipëria

Memaj: Nesër pezullim i transportit publik deri në orën 08:00, kundër rritjes së TVSH-së

Më: 25 nëntor 2026 Në ora: 18:56
Fotoilustrim

Kryetari i Shoqatës së Transportit Publik, Dashnor Memaj, në një prononcim sot për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, bëri të ditur se nesër, më 26 nëntor, transporti publik do të pezullojë shërbimin nga ora 05:30 deri në orën 08:00.

Memaj shpjegoi se vendimi vjen në shenjë kundërshtimi ndaj rritjes së propozuar të TVSH-së, e cila, sipas tij, do të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin e biletës së transportit publik.

“Preket qytetari dhe ne nuk jemi dakord që të ketë rritje të çmimit të biletës për shkak të TVSH-së. Nisur nga kjo, kemi lënë një konferencë për mediet në orën 07:30 të mëngjesit”, u shpreh Memaj.

Memaj theksoi se shoqatat kërkojnë uljen e normës së TVSH-së nga 20% në 6%, duke kundërshtuar kalimin e kostove shtesë te qytetarët.

“Nëse TVSH-ja do të ndryshojë në 21%, ndryshon edhe çmimi i biletës për qytetarët. Ne kërkojmë uljen e TVSH-së nga 20% në 6%, siç ka qenë edhe kërkesa jonë në Komisionin për Ekonominë, ku ishim për prezantim”, deklaroi Memaj.

Deklarata e plotë:

Në prag të seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, më 26 nëntor 2026, ku është parashikuar votimi i Paketes Fiskale dhe Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2027, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban përsërisin kërkesat e tyre për mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe e garantimin e një shërbimi publik të përballueshëm.

Rritja e propozuar e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, sjell rritjen të çmimit të biletës për qytetarët, në transportin publik.

Për këtë arsye, njoftojmë se nesër, ditën e enjte, më 26 nëntor 2026, shërbimi i transportit publik, në të gjitha qytetet e vendit, do të nisë funksionimin në orën 08:00. Deri në këtë orë, shërbimi nuk do të ofrohet.

Qëllimi ynë është të shmangim rritjen e çmimit të biletës dhe transferimin e barrës shtesë fiskale te qytetarët. Transporti publik është një nevojë e përditshme për aksesin në punë, arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera thelbësore.

Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për shqetësimin e krijuar dhe u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin në konsideratë kërkesat tona, në funksion të ruajtjes së çmimit të biletës dhe vijimësisë së shërbimit publik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat