Protesta e paralajmëruar më 28 nëntor pritet të jetë masive, ndërsa organizimet për shtimin e pjesëmarrjes kanë nisur edhe nga grupime të ndryshme politike dhe qytetare.
E ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Pika mbi i” në Ora News, Laura Kërtalli u shpreh se këtë vit 28 Nëntori do të festohet në një mënyrë ndryshe, përmes protestës, krahas aktiviteteve tradicionale me këngë e valle.
Ajo theksoi se pjesëmarrjes pritet t'i bashkohen edhe shqiptarë të diasporës që do të vijnë në vend për festat e nëntorit. Sipas Kërtallit, kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, një kërkesë që, siç u shpreh ajo, protestuesit e artikulojnë prej më shumë se gjashtë muajsh.
“Festa më e madhe për situatën politike në vend do të ishte pse jo dorëheqja e kryeministrit Rama”, u shpreh Kërtalli.
Më tej, ajo bëri të ditur se edhe grupimi politik ku bën pjesë, “Rinia Nacionaliste”, po përgatitet për protestën e 28 nëntorit. Sipas saj, grupi i terrenit po përgatit parulla dhe aksione demonstruese, ndërsa komunikimi me grupimet e tjera synon një organizim sa më të koordinuar.
Kërtalli nënvizoi se, pavarësisht se grupimet nuk kanë arritur të krijojnë një pol të tretë gjithëpërfshirës, secili prej tyre po organizohet për të kontribuar në rritjen e numrit të protestuesve.
“Me informacionet që unë kam dhe me përgatitjet që ne po bëjmë, kjo do të jetë e realizueshme, pra do të jetë një protestë shumë masive”, deklaroi ajo.