Bardhi dhe Balliu mund të rikthehen në Kuvend, Gjykata Administrative anulon përjashtimin 60-ditor

Shqipëria

Bardhi dhe Balliu mund të rikthehen në Kuvend, Gjykata Administrative anulon përjashtimin 60-ditor

Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 11:46
Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë ka shfuqizuar masën disiplinore të Kuvendit ndaj dy deputetëve të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, duke e cilësuar të paligjshëm përjashtimin e tyre për 60 ditë nga aktiviteti parlamentar.

Vendimi i gjykatës rrëzon aktin nr. 15, të datës 12 tetor 2026, të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, me të cilin dy deputetëve të opozitës u ishte ndaluar pjesëmarrja në seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Përveç shfuqizimit të vendimit të Kuvendit, gjykata ka urdhëruar edhe ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit të saj. Kjo do të thotë se Bardhi dhe Balliu mund t’i rikthehen menjëherë veprimtarisë parlamentare, pa qenë të detyruar të presin përfundimin e afatit 60-ditor të përjashtimit.

Në dispozitivin e vendimit, Gjykata Administrative përcakton shprehimisht shfuqizimin e masës së marrë ndaj dy ligjvënësve, si dhe zbatimin e menjëhershëm të vendimit.

Me këtë vendimmarrje, masa disiplinore e vendosur nga strukturat e Kuvendit ndaj dy deputetëve demokratë humbet fuqinë, duke u hapur atyre rruga për t’u rikthyer në punimet parlamentare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat