108 vjet nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë nga pushtimi Osman

Aktuale

108 vjet nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë nga pushtimi Osman

Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 10:06
Ismail Qemali

Shqipëria feston sot 108-vjetorin e shpalljes së mëvetësisë ne të gjitha territoret shqiptare pas një lufte gjysmë shekullore që nga shteti shqiptar i Skënderbeut dhe luftërave të pandalshme kundër pushtuesve Osman e cila kulmoi më 28 Nëntor 1912.

Shqipëria e sotme, e copëtuar disa herë nga fuqitë e mëdha të kohës, nuk është as përse afërmi ëndrra dhe projekti i njerëzve më të ndritur të kombit të cilët u mblodhën më 1912 për të themeluar zyrtarisht shtetin shqiptar pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit e cila edhe përkundër luftës dhe qëllimit për ta pavarësuar Shqipërinë pas pavarësimit të Serbisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë nga marrëveshja e Shën Stefanit ( shih: https://sq.ëikipedia.org/ëiki/Traktati_i_Sh%C3%ABn_Stefanit ) dhe kufijtë e këtyre shteteve ishin shumë me të vogla se që janë tani por që u zgjeruan në konferencën e Londrës e cila i mori Shqipërisë ¾ e territorit (shih hartën e Shqipërisë me 1912-të).

Përpjekjet gati 500 vjeçare që nga koha e Skënderbeut, kryengritjeve dhe lidhjeve të shumta të shqiptarëve për çlirim nga pushtuesi osman dhe themelimin e shtetit u kurorëzuan në Vlorë, vetëm për t’u copëtuar më pas në Konferencën e Ambasadorëve, atë të Londrës, nga shtete si Rusia, Franca dhe disa shtete të Ballkanit.

Image
Kjo ishte harta e Shqipërisë me 1878

Shpalljes së pavarësisë më 1912, përpos iniciativave diplomatike të tjera të rilindësve shqiptarë, i paraprinë katër ngjarje të rëndësishme të historisë shqiptare, si Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878, hapja e shkollës së parë shqipe në Elbasan më 1887, Lidhja e Pejës më 1899, dhe Kongresi i Manastirit më 1908.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit regjistron përpjekjen e parë serioze dhe të organizuar nga ana e shqiptarëve për të fituar pavarësinë ndaj Perandorisë Osmane. Bashkimi i katër vilajeteve shqiptare dhe unifikimi i shqiptarëve në një zë për pavarësi ishte shumë e rëndësishme për atë që do të pasonte.

Image
Keto ishin territoret e Shqipërisë mbi bazën e secilës u shpall pavarësia e Shqipërisë me 1912.

Vilajeti i Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës përbënin një territor shumë më të madh se Shqipëria dhe Kosova e sotme, ndërsa numëroheshin mbi 2.5 milionë shqiptarë.

Drejtori i Institutit të Historisë në Tiranë, Beqir Meta, rrëfen për kp,se territori i këtyre vilajeteve përbënte qytete të mëdha, qendra tregtare që kishin një lidhje organike mes atyre qendrave dhe territoreve urbane dhe fshatare përreth.

Objektivi për bashkim të këtyre vilajeteve sipas profesor Metës ka vazhduar edhe në shpalljen e pavarësisë në 1912. Teksa thotë se pavarësia e Shqipërisë është shpallur për të gjitha territoret shqiptare.

Historiani Meta thotë se në shpalljen e pavarësisë këto territore i kanë njohur si të banuara me shqiptarë edhe fuqitë e mëdha evropiane, por formalisht nuk i kanë pranuar. Këtë e siguron siç thotë, korrespodenca diplomatike austro-hungareze, italiane, britanike dhe në disa dokumente burimet franceze.

Meta: Pavarësia e Shqipërisë është shpallur për të gjitha territoret shqiptare dhe për gjithë popullsinë shqiptare

“Lufta Ballkanike e bëri të domosdoshme shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, kështu kjo ishte iniciativa e mençur dhe e zgjuar e Ismail Qemaili dhe patriotëve të tjerë shqiptarë të cilët tashmë kërkuan shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Pavarësia e Shqipërisë është shpallur për të gjitha territoret shqiptare dhe për të gjithë popullsinë shqiptare. Qeveria e Vlorës ka bërë të gjitha përpjekjet edhe në konferencën e ambasadorëve për të bërë të qartë edhe kërkuar territoret kombëtare në mënyrë krejtësisht të arsyeshme. Pra atje ku shqiptarët ishin shumicë dërrmuese në këto territore. Këto territore janë njohur si territore shqiptare. Pa diskutim, po të shikojmë gjithë korrespodencën diplomatike të fuqive diplomatike, qoftë atë austro-hungareze, italiane, britanike në disa dokumente, burime franceze, por edhe ato ruse nuk e mohojnë që këto territore banohen me shumicë shqiptare”, u shpreh ai.

Mbi përpjekjet për pavarësi dhe fillimin e luftërave ballkanike jep detaje profesoresha, Ledia Dushku. Ajo thotë se kur fuqitë e mëdha u deklaruan për ndryshim të statusit në Ballkan, filluan tentativat për mbajtjen e një kuvendi për t’i mbledhur shqiptarët nga të gjitha krahinat.

Dushku: Elita shqiptare e kuptoi se duhet të reagonte

“Në një situatë të tillë atëherë kur u kuptua se çadra osmane nuk mund t’i mbronte dot më, elita politike shqiptare elita politike shqiptare veçanërisht kur fuqitë e mëdha e deklaruan në fund të tetorit se status kuos në Ballkan nuk mund të jetonte më u shprehën në pajtim për prishjen e status kuos në Ballkan. Elita politike shqiptare kuptoi se duhet të reagonte. Më shumë se një aksion çlirimtar, tashmë veprimet e tyre duhet të ishin diplomatike. Pra vëmendja e tyre do të duhej të përqendrohej në kontakte të herëpashershme të menjëhershme me fuqitë e mëdha që mund të mbështesnin krijimin e një shteti autonom, apo të pavarur shqiptarë”, tha Dushku.

Dushku u shpreh, se tentativa e parë ishte rreth muajit shtator të vitit 1912 nga Sylja Vlorën dhe të birin Eqrem Vlorën që kryesisht orientoheshin në aspektin diplomatik, por që dështoi. Pas saj ishte iniciativa e dytë nga Shkupi të Shoqërisë “Dora e Zezë” dhe “Shpëtimi”, nga Sali Gjuka, Mit’hat Frashëri por pa sukses.

Këto dështime, sipas saj, arritën për shkak të një mungesë të qendrës organizative nga shqiptarët, teksa u shpreh se në momentin e fundit të luftës ballkanike, atëherë kur u kuptua se Perandoria Osmane do të ishte humbësja e kësaj lufte erdhi iniciativa e tretë me sukses nga Ismail Qemaili. I cili pasi siguroi mbështetjen e austro-hungareze dhe italiane, shkoi në Kuvendin e Vlorës për të shpallur pavarësinë.

Në këtë kuvend historik, Kosova sipas saj, përfaqësohej nga Rexhep Mitrovica, Sali Gjuka, Mih’tat Frashëri dhe Isa Boletini. Kjo dëshmohet edhe në fotografitë në Muzeun Kombëtar në Tiranë.

Dushku: Tri iniciativa nga elita politike shqiptare për mbajtjen e një kuvendi

“Në këtë kuadër na vijnë tri iniciativa të ndryshme nga elita politike shqiptare për mbajtjen e një kuvendi. Me anën e të cilin do të diskutohej se cili do të ishte qëndrimi i shqiptarëve në kuadër të luftë së parë ballkanike. Iniciativa e parë në kohë vjen nga një pinjoll i familjes Vlora bëhet fjalë për Sylja Vlorën dhe të birin Eqrem Vlorën. Në përpjekje për të organizuar shqiptarët ata lëshojnë telegrame për t’u mbledhur në Vlorë në një kuvend të Shqiptarëve për të diskutuar reagimin e shqiptarëve në kuadrin e luftës. Sigurisht në këtë moment nuk bëhet fjalë për krijimin e një shteti të pavarur shqiptarë. Kërkesat maksimaliste të tyre shkonin deri tek autonomia. Mendohej një gjë e ngjashme sikur Lidhja e Prizrenit...vjen iniciativa e Ismail Qemaili dhe e Luigj Gurakuqit të cilit në fund të tetorit lënë Stambollin shkojnë në Bukuresht, kemi mbledhjen e Bukureshtit në 5 nëntor. Sigurisht një mbledhje tejet e rëndësishme për organizimin e shqiptarëve. Por nuk e përcaktoi se Shqipëria do të ishte autonome apo e pavarur. Kjo do të përcaktohej duke marrë pajtimin e fuqive të mëdha. Dy mbështetësitë kryesore ishin Austro-Hungaria dhe Italia. Pasi Ismail Qemaili siguroi mbështetjen e tyre shkoi në Kuvendin e Vlorës”, thotë ajo.

Pas shpalljes së pavarësisë erdhën vendimet shumë të vështira për shqiptarët dhe atë që historianët e quajnë si padrejtësinë më të madhe ndërkombëtare. Në vitin 1913 u organizua Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ku u copëtuan territoret shqiptare.

Në lidhje me këtë, drejtori i Institutit të Historisë në Tiranë, Beqir Meta i paraqet propozimet e dhëna në atë kohë, nga palët përfshirë Perandorinë Austro-Hungareze dhe ato Ruse.

Sipas tij, Austro-Hungarezët me mbështetjen e Italisë dhe Gjermanisë, paraqitën një projekt kompromisi ku kufijtë e shtetit shqiptar i përfshinin një pjesë të Kosovës, por liheshin jashtë disa territore të banuara me shqiptarë jashtë.

Meta: Projekti Austro-Hungarez ishte më i favorshmi, por jo më i drejti

“Në konferencën e Londrës palët, blloqet dolën me variantet e tyre. Perandoria Austro-Hungareze që mbështetjeje me nga Italia dhe Gjermania paraqiti një projekt të saj për kufijtë e shtetit shqiptarë që përfshinte edhe një pjesë të konsiderueshme të territorit të Kosovës. Jo gjithë, sepse duke treguar që ishte e gatshme që të bënte lëshime për të shkuar drejt një kompromisi. Ky ishte projekti më i favorshëm, por ama jo më i drejti për shqiptarët. Për faktin se linte shumicën e territoreve që banoheshin nga shqiptarët jashtë. Ky ishte një projekt kompromisi mbi të cilin Austro-Hungaria do të bënte lëshime të reja dhe do të tërhiqemi nga territore të reja”, tregon Meta

Propozimi më i rëndë në këtë konferencë ishte ai i Rusisë me mbështetjen e shteteve sllave, ku Shqipëria reduktohej në një Shqipëri të mesme me popullsi myslimane. E kompromisi në kuadër të diskutimeve të fuqive të mëdha ishte reduktimi i projektit austro-hungarez, që është Shqipëria e sotme, por edhe zmadhimi i projektit të prezantuar nga rusët.

Image
Propozimi i Shqipërisë për kufijtë, propozimet e Francës, Rusisë me ligën Ballkanike (Bullgaria, Serbia dhe Greqia) dhe vendimi i Konferencës së Londrës për Shqipërinë e sotme londineze.

Mbi këtë kompromis u njohë dhe u pranua pavarësia e shtetit shqiptarë nga fuqitë e mëdha.

Meta: Projekti Austro-Hungarez ishte më i favorshmi

“Qeveria Ruse, perandoria Ruse paraqiti një projekt tjetër shumë të reduktuar. Shumë më të reduktuar se shteti i sotëm. E reduktonte Shqipërinë në një Shqipëri të mesme me popullsi myslimane. Ky ishte një projekt i Serbisë dhe Greqisë pak a shumë me diferenca të vogla. Sigurisht duhet harta për t’i parë. Zgjidhja ka qenë një zgjidhje kompromisi, e mesme që janë bërë skonto nga projekti Austro-Hugareze. Por ama është zmadhuar territori që ka paraqitur projekti Rusë në konferencën e ambasadorëve. Sigurisht projektet që diskutoheshin zyrtarisht ishin të fuqive të mëdha. Ndërsa vendet e Ballkanit kanë paraqitur projektet e tyre kishin të drejtë por nuk kishin materiale zyrtare për të marrë në shqyrtim. Komisioni i kufijve në konferencën e Londrës ka shqyrtuar këto projekte dhe mbi këto janë bërë kompromise. Kompromiset kanë qenë mbi interesat gjeopolitike të fuqive të mëdha. Austro-Hungaria kërkonte një shtet shqiptar sepse donte të shmangte dominimin sllav në Ballkan daljen e rusëve përmes Serbisë dhe Malit të Zi në Detin Adriatik. Franca dhe Rusia donin të zmadhonin sa më shumë shtetet ballkanike në kurriz të Shqipërisë. Pra Greqinë, Serbinë dhe Malin e Zi. Franca e kishte pranuar daljen e Rusisë në Adriatik megjithëse ka diferenca me Britaninë e Madhe”, thotë ai.

Më 1913 Shqipëria u tkurr ndjeshëm dhe jashtë shtetit shqiptar mbetën shumica e territoreve shqiptare. Por populli shqiptar asnjëherë nuk u pajtua me ketë ndarje duke vazhduar luftën për bashkim me Shqipërinë. Pas copëtimit të shtetit shqiptar më 1913, që ishte e përfshirë në katër vilajete apo njësi administrative, territoret shqiptare u copëtuan duke mbetur Çamëria e pushtuar nga grekët dhe pjesët e tjera nën pushtimin jugosllav.

Image
Harta: shteti shqiptare me tokate pushtuara me 1913 pas luftrave ballkanike

Tokat shqiptare gjatë pushtimit jugosllav u copëtuan përsëri duke iu dhënë një pjesë Malit të Zi, një pjesë Serbisë dhe 2/3 e Maqedonisë së sotme, e cila u krijua pas Luftës së Dytë Botërore, është me toka shqiptare.

Pas Luftës se Dytë Botërore, shqiptarët nën pushtimin e Jugosllavisë, asnjëherë nuk u ndalën duke arritur që një pjesë të quajtur tani Kosovë të krijuar artificialisht nga ish-Jugosllavia ( Vilajeti apo Republika e Kosovës me herët e kishte qendrën në Shkup) të marrin autonomin, të rikthejnë me protesta dhe gjak përdorimin e flamurit kombëtar më 1968, të themelojnë universitetin më 1970, të marrin të drejtat e Republikës me kushtetutën e 1974-es, të kërkojnë Republikë me 1981 dhe pas një lufte të përgjakshme dyvjeçare më 1998-1999, me pushtuesin serbë, ku u vranë mijëra ushtarë shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u masakruan mijëra civilë dhe u dhunuan mbi 20.000 gra shqiptare, të shpallet pavarësia në vitin 2008, shteti i dytë shqiptar në Evropë, Republika e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat