​PDK përkrah Projektligjin për rimëkëmbje, VV thotë se është rezultat i zgjedhjeve në Podujevë

Aktuale

​PDK përkrah Projektligjin për rimëkëmbje, VV thotë se është rezultat i zgjedhjeve në Podujevë

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 16:13
Komisioni për Buxhet dhe Transfere

Komisioni për Buxhet dhe Transfere me 6 vota për dhe 3 kundër, ka votuar sot raportin me rekomandime për Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike. E votimi i këtij raporti i ka paraprirë miratimi i 4 amendamenteve të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ishte deputeti i PDK-së Bedri Hamza, i cili i ka paraqitur të katër amendamentet, e të cilat tha se nëse do të marrin përkrahjen atëherë ata do të votojnë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike në lexim të dytë.

Amendamenti i parë është që mjetet e tërhequra nga pjesëmarrësit sipas këtij neni, e të cilët kanë kursime deri në 9.999 mijë euro kompensohen në formë rimbursimi, duke filluar nga viti 2023, sipas formulës dhe metodologjisë së rimbursimit që vendoset me vendim të Qeverisë së Kosovës dhe Fondit e Kursimit Pensional të Kosovës në afatin prej gjashtë muajsh nga miratimi i këtij ligji.

Amendamenti i dytë, lënda e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore të regjistruara dhe aktive në Republikën e Kosovës, pavarësisht se a eksportohet jashtë vendit apo jo, lirohet nga TVSH.

Amendamenti i tretë, të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur probleme të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, por të cilët kanë qenë aktive të regjistruara në regjistër të biznesit para datës 29 shkurt 2020, mbështeten financiarisht nga ana e buxhetit të Kosovës me mjete monetare për t’i mbuluar shpenzimet operative në shumën prej 200 milionë euro.

Amendamenti i katërt, paguhen nga ana e buxhetit të Kosovës, pagat e punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor dhe dhjetor 2020, të cilët si pasojë e pandemisë COVID-19 janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj pas datës 29 shkurt 2020 e deri më 30 dhjetor 2020. Shuma e pagesës për punëtorët është 300 euro për një muaj.

Hamza: Nëse amendamentet bëhen pjesë e mbështesim edhe në lexim të dytë

“Ne po e shohim që ligji për rimëkëmbje që sa kohë nuk po mund të aprovohet dhe duke e pasur për bazë situatën ekonomike, shëndetësore, po edhe politike ne si Grup Parlamentar i PDK-së dhe ne si deputetë të PDK-së në kuadër të këtij komisioni kemi deklaruar edhe më herët që i kemi disa propozime shtesë, të cilat nëse merren në konsideratë dhe bëhen pjesë e projektligjit, ne do ta mbështesim projektligjin edhe në lexim të dytë”, tha ai.

Deputeti i LDK-së Shkelzen Hajdini, tha se ata do t’i mbështesin amendamentet e PDK-së dhe do të bëhen pjesë e Ligjit të Rimëkëmbjes Ekonomike.

Hajdini: Do të përkrahim kontributin e juaj

“Kjo është në harmoni me LDK-në, me koalicionin, me kërkesat që kemi bërë në Kuvend edhe nga ana e kryeministrit, shefit të Grupit Parlamentar dhe nga ana ime, që opozita të reflektojë dhe të sjellë kontributin e tyre. Ne ashtu siç kemi thënë , siç kemi kërkuar ne do të përkrahim kontributin e juaj dhe të presim edhe më tutje gjatë angazhimeve të mëtutjeshme që të reflektojmë kështu pozitivisht të gjithë bashkë, të kuptojmë situatën në të cilën jemi dhe të angazhohemi që shteti të del më së miri”, tha ai.

E propozimin e amendamenteve nga PDK dhe aprovimin e pozitës që ato të përfshihen në Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, deputetja e GP të LVV-së Mimoza Kusari-Lila po e lidh me rezultatin e zgjedhjeve të së dielës për kryetar të Podujevës.

Lila: Rezultati i zgjedhjeve në një komunë e sjell një ndryshim të pozicioneve të partive politike

“Kur Hamza e lexoi arsyetimin e rekomandimeve pikën e parë, prita të thotë rezultati i zgjedhjeve në Komunën e Podujevës, për arsye se nuk e ka asnjë arsyetim tjetër që 13 herë ta diskutojmë ne projektligjin për rimëkëmbje ekonomike mos të jenë këto amendamente, mos të jenë komente, arsyetime qoftë të PDK-së apo edhe deputetëve të tjerë. Ndryshimet e pozicioneve vijnë si rrjedhojë jo e dinamikës, por po ndodh për shkak të dinamikës politike...Interesi dhe nevojat, kërkesat e tyre po bëhen pjesë e pazarit politik. Duhet shqyrtuar me seriozitet secilin propozim, por dua ta theksojë se do të ishte e drejtë të thuhet se rezultati i zgjedhjeve në një komunë ka sjellë një ndryshim të pozicioneve të partive politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Ndërsa, deputeti tjetër i LVV-së Hekuran Murati, tha se këto katër amendamente sipas llogarive të tij janë 350 milionë euro shtesë që do t’i shtohen projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, derisa këto amendamente i quajti më shumë dëshira sesa realitet.

Murati: Këtu po flasim për një dëshirë më tepër

“Këto amendamente janë 350 milionë euro dhe janë vetëm 4 amendamente që po shtohen në këtë projektligjin e ashtuquajtur pako e rimëkëmbjes e që pastaj do të duhej t’i shtoheshin atij vendimi në qeveri që është miratuar. Përderisa ne në buxhet e kemi të paraparë një pako të rimëkëmbjes prej 182 milionë euro, këtu po flasim për një dëshirë më tepër, pasi hapësira buxhetore për akomodim të kësaj është e pamundur. Amendamentet e tilla janë një listë e dëshirave që do të duhej t’i kishim ose që pretendojmë t’i kemi tregon që edhe pajtueshmëria prej anës së koalicionit qeverisës ka qenë më tepër sa për ta kaluar sa për sy e faqe, sesa për ta menduar realizimin, sepse ne e patëm edhe pakon e rimëkëmbjes për sivjet ku ishte 362 milionë euro e paraparë vetëm 60 u ekzekutuan. Problemi këtu është që me amendamente të tilla pastaj po hapet njëfarë dritare, e cila nuk e dimë se sa do të jetë ndikimi buxhetor i saktë, e mund edhe të abuzohet se para se të caktohet përfituesi dhe kriteri për përfituesin e saktë po caktohet shuma”, tha ai.

Atij i është përgjigjur deputeti i PDK-së Bedri Hamza, i cili tha se këto amendamente kanë obligime shtese, por që jo aq sa thoshte Murati.

Hamza: Dallimi që është propozuar në buxhet dhe dallimin e kësaj është më pak

“Besoj që dallimin mes asaj çka është propozuar në buxhet, dallimin mes kësaj nuk e jep 300 e sa milionë, është më pak, është ndikim shtesë. Nëse themi është 350 milionë, këtu po bëjnë 200 milionë, themi edhe 25 milionë, 225 milionë, themi edhe 110 milionë, po bëjnë 335 milionë, hiqja minimumin 150 milionë, do të thotë po flasim për 170 milionë shtesë dhe po flasim për nja 110 milionë të tjera që do të shpërndahen si barrë e ndikimit në buxhet për 5 vjet duke filluar nga viti 2023. Jam i bindur pa paragjykuar as kohëzgjatjen e kësaj qeverie, as situatat të cilat do të ndodhin, nuk mundem me i parapa, është një proces në Gjykatën Kushtetuese që prapë po e them nuk di qysh do të ndodhë, është zgjedhja e presidentit që është temë në vete dhe nuk di qysh është formula që do të rregullohet kjo çështje. Nëse nuk ndodh kjo ne e dimë që vendi shkon në zgjedhje. Mirëpo, qysh do le të jetë unë jam ithtar i asaj që brenda kapaciteteve reale ta bëjmë pjesën tonë të punës dhe ta ndihmojmë vendin përmes infuzioneve”, tha ai.

Në këtë mbledhje të komisionit, në mungesë të kuorumit nuk është hedhur fare në votim projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.

Kryetari i këtij komisioni Hekuran Murati, tha se kjo pikë e rendit të ditës do të shtyhet për mbledhje tjetër.

Murati: Projektligji i buxhetit shtyhet edhe një herë për mbledhjen tjetër

“Meqenëse kemi mbetur vetëm tre, po besoj që projektligji i buxhetit që ka qenë i paraparë si pikë e radhës shtyhet edhe një herë për mbledhjen tjetër”, tha ai.

Në kohën kur duhej të hidhej në votim kjo pikë e rendit të ditës, ishin vetëm tre deputetë, Hekuran Murati, Yllza Hoti dhe Faymir Rexhepi.

Në këtë mbledhje janë miratuar edhe raporti vjetor financiar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës për 2019, raporti vjetor financiar i Këshillit Prokurorial të Kosovës për 2019, raporti vjetor financiar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për 2019, ndërsa në mungesë kuorumi nuk është hedhur në votim raporti vjetor i punës së Komisionit për Ndihmë Shtetërore, si dhe Raportit të Ndihmës Shtetërore për 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat