Deklaratat e ish-drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake të Serbisë (VBA), Momir Stojanoviq, lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, kanë rikthyer në vëmendje çështjen e përfshirjes së mundshme të strukturave shtetërore serbe në këtë rast.
Eksperti i sigurisë, Avni Islami, vlerëson se këto deklarata kanë rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare të Kosovës, pasi vijnë nga një ish-zyrtar i lartë i inteligjencës ushtarake serbe.
Sipas Islamit, dyshimet e ngritura për organizimin, armatosjen, koordinimin dhe mbështetjen logjistike të grupit të armatosur kërkojnë vëmendje të shtuar për të hetuar përfshirjen e mundshme të strukturave serbe të sigurisë dhe përgjegjësinë eventuale shtetërore për sulmin në Banjskë.
Ai thekson se rëndësi për vlerësimin e situatës kanë edhe ndryshimet e raportuara në udhëheqjen ushtarake dhe të inteligjencës së Serbisë, përfshirë pensionimin e Milan Mojsiloviqit dhe Gjuro Jovaniqit.
Megjithatë, Islami nënvizon se deri më tani nuk ka dëshmi të konfirmuara që i ndërlidhin këto ndryshime me rastin e Banjskës, por ato duhet të analizohen për të kuptuar ndikimin e mundshëm në orientimin dhe veprimtarinë e strukturave serbe të sigurisë.
Një tjetër çështje që, sipas ekspertit, kërkon vëmendje është trajtimi gjyqësor i Milan Radoiçiqit, i cili është përmendur si një nga figurat kryesore të grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë.
“Pyetja është se ku gjendet Radoiçiqi dhe pse u lëshua fletarresti dje e jo më herët”, thekson Islami.
Në aspektin e sigurisë së Kosovës, eksperti vlerëson se këto zhvillime kërkojnë masa parandaluese dhe vlerësim të vazhdueshëm të kërcënimeve nga institucionet e vendit.
Ai kërkon që institucionet të mbështeten në informacionet e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe inteligjencës së Policisë, si dhe të forcojnë koordinimin ndërinstitucional dhe bashkëpunimin me KFOR-in, EULEX-in dhe partnerët strategjikë ndërkombëtarë.
Sipas tij, vetëm përmes këtij bashkëpunimi dhe monitorimit të vazhdueshëm mund të forcohen mekanizmat për parandalimin e kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës.