Në historinë e shtetit shqiptar, asnjë vizitë tjetër nuk ka prodhuar më shumë tension, nervozizëm dhe shpërthime si vizita e presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani në Tiranë.
As udhëheqësit serbë, grekë dhe kinezë nuk kanë shkaktuar kaq shumë sulme nën brez dhe histerizma si vizita e presidentes dhe politikanes shqiptare Vjosa Osmanit, e cila erdhi në Tiranë dhe denoncoi poshtërsitë e Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiç kundër shqiptarëve të Kosovës.
Kurrë më parë nuk ka ndodhur që partia në pushtet dhe kryeministri t’i lëshojë qentë një kryetari shteti që vjen për vizitë zyrtare. Kjo nuk ka ndodhur as gjatë vizitës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, me përjashtim të disa protestave të grupeve të izoluara.
Edhe me kanun është e papranueshme ajo që Edi Rama bëri gjatë vizitës së Vjosa Osmanit në Tiranë, duke i ndërsyer zagarët mediatikë dhe politikë, aq më tepër që Osmani përfaqëson gjysmën tjetër të kombit dhe jo një vend armiqësor.
Po çfarë tha Vjosa Osmani në Tiranë që tërboi Edi Ramën, duke e sharë, pështyrë, injoruar, braktisur seancën ku do mbante fjalim etj., situatë kjo poshtëruese dhe dedraduese për shtetin shqiptar, e cila u përdor edhe nga Basha, Beridha dhe Meta?!
Vjosa Osmani ia ka thënë në sy Edi Ramës rolin e tij pro interesave të Serbisë, duke nisur që nga mbështetja e projektit të Minishengenit Ballkanit, ku përjashtohej Kosova.
Kjo është arsyeja se pse Rama, takimin me Osmanin e ka zhvilluar me dyer të mbyllura, si të ishte duke pritur ndonjë nga klientët e qeverisë për pazarin e radhës.
Në konferencën që Vjosa Osmani pati me Ilir Metën para se të takonte Ramën, u shpreh se: “Kam akoma të njëjtin qëndrim për mini-shengenin. Do t’ia përsëris të njëjtën gjë edhe nesër kryministrit Rama. Kemi shumë argumente. Ai e bindi kryeministrin Hoti. Ajo ç’ka do të kërkoj megjithatë si ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës dhe si Kryetar e Kuvendit, institucionit më të lartë përfaqësues në vend, është ta kemi dokumentin, sepse ne vetëm flasim dhe nuk kemi asnjë dokument rreth asaj se: Ç’ka është ky MiniShengen? Ç’ka është kjo inisiativë? Ç’ka përmban?!
Ajo që kemi dëgjuar nga media për MiniShengenin ka qenë një çështje që sipas vlerësimit tonë i shkojnë me më shumë leverdi Serbisë, sesa Kosovës dhe Shqipërisë”.
Këtë gjë Vjosa ia ka thënë në sy Bablokut tonë, ndaj Babloku e ka bërë takimin të mbyllur, që mos të diskretitohej figura e tij në sytë e shqiptarëve.
Edi Rama nuk është hipnotizuar nga Vuçiç, por i qëndron linjës kundër Kosovës pasi kërkon të paraqitet si lider global dhe që sheh larg, si pajtues i Ballkanit, mbi krimet mizore të Serbisë ndaj shqiptarëve.
Më i rëndë është fakti se Vjosa Osmani i ka kërkuar Ramës të miratojë një rezolutë për dënimin e genocidit serb në Kosovë dhe Babloku nuk ka pranuar, pasi humbet pikë si lider global dhe zemrohet miku Vuçiç, mbrojtës i krimeve të babait të tij politik, Millosheviçit.
Vjosa Osmani deklaroi se “Kuvendi i Shqipërisë të miratojë deklaratën, rezolutën ose vendimin, sido që quhet me rregullat e kuvendit që do të dënonte gjenocidin serb në Kosovë.
Kuvendi ynë tashmë e ka miratuar këtë deklaratë ku flitet për krimet e kryera nga Serbia dhe ku kërkohet që kryesit të dalin para drejtësisë dhe është krejtësisht e natyrshme që vendi i dytë që ta bëjë këtë të jetë Shqipëria”.
Kjo kërkesë është injoruar nga Gramoz Ruçi për t’u futur në axhendën e Kuvendit me urdhër të Ramës. Nga ana tjetër, Rama ka disa javë që bën politikë me çështjen e kasetës së masakrës së Krushës, për të cilën pretendon se është fshehur nga Lulzim Basha. Madje ka ngritur edhe një komision hetimor, por ndërkaq nuk dënon genocidin serb.
Vjosa Osmani denoncoi në Tiranë edhe rolin e Edi Ramës për ndarjen e Kosovës, e mbrojtur me gjak dhe për të cilën kanë dhënë jetën mijëra shqiptarë.
Rama, si lider global, punoi për ndarjen e Kosovës në këmbim të njohjes nga Serbia të pjesës që do mbetej dhe kështu Rama do të dilte në pah si paqtues i Ballkanit. Mbi këtë pazar, i cili u rrëzua nga SHBA dhe Gjermani, Rama synote të nominohej për çmimin nobel për paqen.Pamfleti