Ibrahim Kelmendi tregon faktet në Speciale: Ja personat që u vranë me urdhër të Azem Sylës

Aktuale

Ibrahim Kelmendi tregon faktet në Speciale: Ja personat që u vranë me urdhër të Azem Sylës

Nga: Ibrahim Kelmendi Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 20:09
Azem Syla

2.4.7. Azem Syla / “Daja i vogël”

Azem Sylën e kam takuar për herë të parë në Zvicër, kur ai ishte imigruar aty dhe e kishte paraqitur kërkesën për azil politik. Linte përshtypjen e një njeriu të traumatizuar, si ish i burgosur politik shumëvjeçar.

Në paraqitje dukej gjysmë-analfabet, pavarësisht që i thoshin profesor, ashtu siç iu thonë mësuesve, në shkollat e mesme në Kosovë. Por ai nuk kishte as diplomë fakulteti.

Mbaj mend informacionin se në Fakultetin e kimisë, në Prishtinë, gjatë katër viteve të studimeve, Azemi nuk kishte kaluar asnjë provim profesional, pos lëndëve joprofesionale, paraushtarak dhe marksizëm, që ishin të detyrueshme për të gjitha fakultetet. Në ato lëndë, zakonisht, askush nuk merrte notë negative, jokaluese.

Për shkak të deficitit të atëhershëm për mësues, edhe pse nuk e kishte haberin, i është dhënë mundësia të angazhohej si mësues kimie në gjimnazin e Kievës, Komuna e Klinës.

Azemi e ka sajuar edhe një mashtrim spektakular. Ai paskësh doktoruar, në vitin 2006, në shkenca politike, në Leibniz University Institute of Arts and Science in Santa Fe (Neë Mexico), pa e ditur ku gjendet ai universitet, pa e ditur gjuhën angleze dhe pa pas të mbaruar as fakultetin, as e magjistraturën.

Prezantova këto të dhëna biografike të Azemit, në mënyrë që prokurori dhe gjykatësit ta kenë parasysh nivelin e ulët të përgjegjësisë dhe talentin e tij për të blerë edhe doktoratë (internetike) nga ajo botë e largët, nëse nuk është vetëm mashtrim.

Më herët rrëfeva për sabotimet e tij, bashkë me ato të Xhavit Halitit, nga viti 1994 deri në mars 1998. Përherë kam pas dilema, nëse ishte marionetë e RDB-së së Serbisë, apo e sabotonte dhe e komplotonte UÇK-në sepse nuk kishte mendime më konstruktive.

Në mars të vitit 1998, në Tiranë, në terasë të lokalit “Piazza”, prapa Muzeut Kombëtar, si rastësisht Azemi më dezinformoi se ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së. Mezi e përmbajtja irritimin që të mos përleshem me të edhe fizikisht. Simulova qetësi, me shpresë se do marrë përgjigje konkrete në pyetjet, kush dhe kur e kishte emëruar, zgjedhur apo caktuar për komandant të UÇK-së.

Zuri të belbëzonte akoma më shumë sesa e kishte defektin natyror. E kërcënova të mos guxonte më ta mashtronte edhe dikë tjetër, se do armiqësoheshim tepër brutalisht.

Meqë ZPS-ja dhe Dhomat e Specializuara janë formuar për të hetuar e gjykuar vetëm akuzat që ka ngritur parlamentari Dick Marty, në Raportin e tij të miratuar nga Këshilli i Evropës, më 7 janar 2011, unë nuk po i rrëfej sabotimet e komplotet e tij kundër UÇK-së dhe luftës së saj çlirimtare. Ato i kam publikuar pjesërisht, gjatë e pas Lufte.

Megjithëkëtë, nuk do ta anashkaloj, pa e kujtuar, dyshimin e atëhershëm dhe të tanishëm, se Azem Syla, bashkë me Xhavit Halitin, e kishin koordinuar vrasjen e Ilir Konushevcit / “Mërgimit”, i cili, bashkë me Qerim Kelmendin / “Demën” e Naim Hazirin / “Dilaverin”, po e udhëheqnin Sektorin e Logjistikës në Shqipëri, me kryebazë në Bajram Curr. Vrasja ka ndodhur në mëngjesin e hershmë (rreth orës dy) të datës 9 maj 1998, në Shqipëri.

Kryevrasësi mercenar ishte Bislim Demiri, i cili atëherë ishte i punësuar në policinë shqiptare, në Bajram Curr, si shofer i shefit të policisë së atyshme, Jonuz Hyka. Nuk do ta anashkaloj as një debat rastësor, që e kisha me bashkëveprimtarin Metush Zenuni (Dura), në facebook, më 3 maj 2016, në kohën kur ishte bërë karaxhoz mediatik një kriminel ordiner, spiun i policisë së Serbisë, me emrin Fahrendin Gashi / “Farku” (nga Shtimja e Kosovës).

Fahredini është duke vuajtur dënimin me burg, për krimet e bëra, nduke qenë i komanduar nga Azem Syla. Pata menduar se Metush Zenuni kishte informacion, meqë është i asaj ane, nga ishte edhe “Faruku”, prandaj e pata pyet. Përgjigjja e tij fillestare, siç janë komunikimet në këtë rrjet social, qe kjo. “E çuditshme është se daja [siç e thërrisnim atëherë Azem Sylën] na e dha Farukun me vete kur kaluam ilegalisht kufirin nga Shqipëria në Kosovë. Pasi u futem në kufi ne ramë në pritë, ku pati edhe të vrarë. Faruku humbi për disa orë.

Pasi shkuam në Demjan, pas disa orësh, erdhi Faruku. Tregimi i tij për takimin me një oficer serb dhe ardhja e tij gjallë tek ne ishin për dyshim. (...) Në atë luftë [Metushi e quan luftë pritën e ushtarëve serbë që e ruanin kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku ra aradha e 64-të e rekrutuarëve që po shkonin për t’iu bashkëngjit UÇK-së] u vra Haxhi Hoti, nga Rogova e Hasit.

Me Farukun kemi rrugëtuar deri në Caralevë. Aty jemi ndarë. Unë dhe Reshati vazhduam për Kaçanik, ndërsa Sadikun e dërguam në Dobërdolan, te Ilaz Kadolli dhe Hysen Gega. ”Në pyetjen time, “Kur, ku dhe si ka ndodhur ajo tragjedi”?, Metushi më ka sqaruar: “Ngjarja ka ndodhur gjatë natës 7/8 qershor 1998.”

Me Metushin kanë qenë edhe bashkëveprimtarët Sadik Halitjaha dhe Reshat Salihaj, të bashkorganizuar në Lëvizjen, që vepronte në Zvicër.

Pra, fjala është për një aradhë prej 64 vetave, e përbërë kryesisht nga imigrantët shqiptarë që vullnetarisht iu kanë bashkëngjit UÇK-së. Kalimin ilegal të kufirit e ka “koordinuar” (komplotuar) Azem Syla, i cili Metush Zenunin, Sadik Halitjahën dhe Reshat Salihun, ua ka dhënë për spiunim Fahredin Gashit.

Pra, sapo kanë kaluar kufirin, mbi Vlahne, në Malet e Pashtrikut, Fahredin Gashi është shkëputur nga aradha në atë errësirë të mesnatës. Pas pak ushtarët serbë kanë hedhë në ajër raketa ndriçuese dhe kanë shti drejtë 64 vullnetarëve të UÇK-së.

Në atë rast është vrarë Haxhi Hoti dhe janë plagosur shumë vullnetarë të tjerë. Ky komplot përforcon dyshimin tim se Azem Syla ishte marionetë komplotiste, e rekrutuar më herët nga SDB-ja, tashmë e riemërtuar në RDB. Fatkeqësisht ne asnjëherë nuk kemi pas kurajë e vullnet të hulumtojmë shumë vrasje që kanë ndodhur gjatë kalimit ilegal të atij kufiri famëkeq. Ta zëmë, rasti tepër tragjik i Komandantit Mujë Krasniqi, i cili, bashkë me 41 bashkëluftëtarë është martirizuar gjatë natës së 13/14 dhjetorit 1998, duke e kalua ilegalisht atë kufi me 140 luftëtarë.

Asnjëherë nuk kemi bërë pyetje, nëse edhe asaj radhe Azem Syla ua ka besuar për “shoqërim” Fahredin Gashin apo ndonjë “faruk” tjetër!!

Edhe vrasja e kryeshefit të SHSSH (SDB-së), Ibush Kllokoqi, më 6 gusht 1999, për bindjen time është bërë me urdhër të Azem Sylës. Këtë bindje e kam formuar në një bisedë rasti në Prishtinë. Demë Nikçi, i afirmuar si “eksportues” i shqiptarëve në Amerikë, më pat lutur të shkoja me të në një lokal, ku e kishte lënë një takim me një ish-ushtar të UÇK-së, i cili kërkonte ndihmë nga Dema, për t’u arratisur nga Kosova. Ish-ushtari ishte Bekim Syla. Ai u prezantua si nip i Azem Sylës.

Gjatë rrëfimit ankues iu mbushen sytë më lotë: “Azemi na ka urdhëruar ta vrasim Ibush Kllokoqin, e tani nuk paguan as avokat për mua dhe nuk përkujdesët as për t’i ushqyer bashkëshorten dhe dy vajzat e mija”, foli Bekim Syla. [Parafrazim] Ato ditë Bekim Syla jetonte në arrati, sepse kishin filluar hetimet për rastin Kllokoqi. E këshillova të mos arratisej, sepse, sapo të identifikohej, secili shtet do ta kthente në Kosovë.

Edhe këtë e kam vlerësuar për dëshmi kokëforte, se Azem Syla ka zbatuar një urdhër që duhet të ketë qenë nga RDB-ja serbe. Pra, edhe nga ai takim rastësor m’u sforcua urrejtja për marionetën komplotiste Azem Syla – sepse kishte shpërdoruar një luftëtar trim, që besonte se Azemi vërtet kishte qenë komandant i UÇK-së!

Ajo vrasje, si edhe vrasja e kryeshefit të SHSSH, Selim Brosha, duhet të jenë urdhëruar nga RDB-ja serbe, që të evitohej dekonspirimi i spinunëve që ata dy duhet t’i kishin rekrutuar. Nuk më besohet se Azemi, kokë më vete, - nga frika se ata do të mund ta dekonspironin përkatësinë e Azemit, - ka urdhëruar vrasjen e Ibush Klloloqin, ndoshta edhe të Selim Broshës.

Nëse i ka vra për hakmarrje, sepse ata duhet ta kenë tortuaruar gjatë hetimeve kur e kanë burgos Azemin në vitin 1981, edhe do të mund ta arsyetoja, por ne ishim përcaktuar për pajtim kombëtar – kundër hakmarrjeve. Njerëz të informuar mirë më kanë thënë se, natën e vrasjes së Ibush Kllokoqit, ka festuar edhe Sabri Novosella, sepse është çliruar nga ankthi që Ibushi do të tregonte se Sabriu ishte rekrutuar nga SDB-ja... Nuk po rrëfej për krime të tjera të Azem Sylës, sepse ato, tashmë, janë publikuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat