Edhe një zyrtar i LDK-së përfshihet në debatin për votuesit e PDK-së: Luljeta Aliu një militante besnike e LVV-së

Aktuale

Edhe një zyrtar i LDK-së përfshihet në debatin për votuesit e PDK-së: Luljeta Aliu një militante besnike e LVV-së

Më: 12 janar 2021 Në ora: 10:05
Luljeta Aliu

Pas zyrtarëve të PDK-së që i reaguan analistes Luljeta Aliu, është përfshirë edhe një zyrtar i LDK-së. Bajram Gecaj ka thënë se ajo i ka ofenduar e poshtëruar një pjesë të qytetarëve të Kosovës me deklaratën për votuesit e PDK-së.

Gecaj thotë se Luljeta Aliu ka “mungesë inteligjence”.

“Luljeta Aliu ofendoi rëndë mbrëmë një pjesë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, kur ata i krahasoi, i poshtëroi dhe i denigroi nën nivelin e qytetarëve të Kraljevës. Edhe pse unë mendoi se ajo këtë e bëri për faktin se ka mungesë inteligjence, është pra e pa-mençur dhe shpesh i lëshon fjalët pa i matur fare, megjithatë, një deklarim i tillë, me apo pa qëllim, është definitivisht i papranueshëm dhe i pafalshëm!”, ka shkruar Gecaj.

Atij i ka penguar edhe kundërpërgjigjja e Aliut ndaj reagimeve kundër saj, teksa ka thënë se më shumë sesa analiste, ajo është “militante besnike e LVV-së”.

“Është në veçanti e pafalshme kur Aliu nuk merr as mundin të kërkoi falje, por në reagimin e saj shkruan: “Gjuani! Këtu jam!” Një person i tillë më së paku mund të identifikohet si opinioniste e pavarur, analiste apo profesioniste, por ajo më shumë është sprovuar tanimë si një militante besnike e LVV-së, e cila shpesh përdor zhargonin e rrugës, veçse më të përpunuar paksa se gjuha rrugaçe e shumë përkrahësve të LVV-së, 10 apo 20 nga të cilët më duhet t’i bllokoi çdo dite në facebook”, ka shkruar Gecaj.

Në fund, Gecaj u ka dhënë këshilla edhe televizioneve që të mos e thërrasin Aliun në debate, ndërsa publikut i ka sugjeruar që të mos e ndjekë atë.

“Paraqitja e mbrëmshme duhet të jetë e mjaftueshme që televizionet tona mos ta thërrasin Aliun më në debatet e tyre; e nëse ata këtë megjithatë vazhdojnë ta bëjnë, atëherë publiku duhet të refuzoi t’i përcjellë këto debate. Ky rast është njëkohësisht një thirrje serioze zgjimi për qytetarët e Republikës së Kosovës të mendojnë mirë se kujt do t’ia japin votën kësaj radhe!”, ka shkruar Gecaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat