Anëtari i AAK-së përveç raportit në parti, tani do të japë edhe tender te Bashkim Ramosaj

Aktuale

Anëtari i AAK-së përveç raportit në parti, tani do të japë edhe tender te Bashkim Ramosaj

Më: 14 janar 2021 Në ora: 13:01
Kryetari Bashkim Ramosaj dhe Naim Povataj

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili vjen nga radhët e AAK-së, para pesë ditëve nënshkroi një kontratë me bashkëpartiakun e tij, Naim Povataj.

Povataj është pjesë e strukturave të nëndegës së AAK-së në Strellc të Epërm të Komunës së Deçanit.

Pak orë pasi e kishte nënshkruar kontratën më bashkëpartiakun, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj publikoi një fotografi nga një takim mobilizues ku ishte prezent me strukturat e AAK-së në Strellc të Epërm. Aty ishte edhe anëtari i këtyre strukturave, Naim Povataj.

Kontrata në mes të kryetarit Ramosaj dhe Povatajt është nënshkruar në zyrën e kryetarit më datën 08 janar 2021 për projektin “Ndërtimi i shtratit të lumit në Izniq në Lagjen Berishë, Mushkolaj dhe Dodaj”, e cila kap vlerën prej 57 mijë e 868 euro.

Gashtë oferta kanë qenë në garë për këtë projekt, por tenderi i ishte dhënë kompanisë së biznesmenit të AAK-së, “NB. Projekt” SHPK.

Kriter kryesor për dhënie të kontratës ka qenë çmimi më i lirë i ofertës së përgjegjshme. Çmim më të lirë se të kompanisë “NB.Projekt”, ka pasur konsorciumi i kompanive garuese: KBC Group & Arfa Group në vlerë prej 47 mijë e 678 euro. Por, oferta e kësaj kompanie ishte refuzuar me arsyetimin se ka qenë e pa përgjegjshme. Kompania ishte ankuar menjëherë tek komuna, duke mos u pajtuar me mendimin e saj, por komuna e kishte hedhur poshtë ankesën me arsyetimin e njëjtë. “Grupi i operatorëve tek kërkesat mbi gjendjen ekonomike dhe financiare nuk ka prezantuar Deklaratë Tatimore vjetore të dorëzuar në ATK për tri vitet e shkuara, por ka prezantuar qarkullimin bankar. Po ashtu mbi mundësinë teknike ose profesionale nuk ka prezantuar listën e pajisjeve të nënshkruara dhe vulosura. Marrëveshjen për marrjen me qera të pajisjeve në mes NTSH “Lindi” dhe “KBC Group” e ka nënshkruar me datë 04.12.2020, ndërsa noterizimi 23.09.2019 nuk ceket se për çfarë dokumenti është bërë noterizimi dhe data e noterizimit me datën e marrëveshjes. Nuk është bërë as noterizimi i librezës së qarkullimit të kamionit”, thuhet në përgjigjen refuzuese të Komunës ndaj kompanisë.

Ky grup i kompanive nuk është ankuar në OSHP.

Kompania e zyrtarit të AAK-së deri më tani ka fituar dy tenderë nga komuna e cila udhëhiqet nga Bashkim Ramosaj. Para pesë muajve, Ramosaj bashkë me bashkë partiakun kishin nënshkruar kontratën afro gjysmë milioni  euro.

Konkretisht më 4 gusht 2020, në emër të autoritetit kontraktues, Blerim Ramosaj së bashku me Naim Povatajn si përfaqësues i kompanisë “NB Projekt”  kanë nënshkruar tenderin ,,Ndërtimin e Qendrës Rinore në Deçan’’. Kontrata ka qenë në vlerë prej 452.456,90 euro dhe kompania “NB Projekt” e kishte fituar këtë projekt në bashkëpunim me kompaninë “Alping-Sh.P.K”. Ky aktivitet i prokurimit ishte përsëritur disa herë nga Komuna e Deçanit, madje për një kohë ka qëndruar duke u gjykuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pasi kompanitë garuese konsideronin se oferta e “NB Projekt”  ishte e pa përgjegjshme. Por në fund OSHP-ja i pati dhënë të drejtë Komunës së Deçanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat